Privatësia dhe siguria e qytetarëve - LIVE

Krenare Sogojeva Dermaku nga Agjencia për Informim dhe Privatësi në konferencën për sigurinë kibernetike tha se ky institucion ka sfida të shumta.

Në konferencën e cila u mbajt më 04.03.2024 ajo tha se në bazë të transparencës nganjëherë, institucionet shkelin të drejtën e të dhënave personale të qytetarëve.

“Sfidë kryesore mbetet ndërgjegjësimi i qytetarëve për sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, nganjëherë institucionet në emër të transparencës na ka ndodh që ta shkelin të drejtën e të dhënave personale, kjo ndodh kryesisht në ato raste kur këto të dhëna publikohen në listat e subvencioneve, apo listave të tjera ku dojnë të tregojnë për ndihmën që u kanë dhënë qytetarëve e në anën tjetër shkelin një të drejtë shumë të rëndësishme”- tha Sogojeva Dermaku në konferencën “Kibernetika zero’, e cila u transmetua në emisionin #KallxoPërnime.

Ajo ka kritikuar edhe disa media, sipas saj për çdo ditë shkelin të drejtën mbi të dhënat personale të qytetarëve.

“Kryesisht ndodh tek mediat online, jemi shumë të shqetësuar pse kjo është duke ndodh, këto media nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme për sa i përket zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave. Edhe rrjedhja e të dhënave të policisë së Kosovës për personat që janë në kërkim apo për viktimat, tek mediat është problem tjëtër” – tha Sogojeva Dermaku.

Ajo ndër tjerash ka folur edhe pëpr bashkëpunimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi me rrjetin social Tik Tok.

“Nga viti 2023 kemi filluar një bashkëpunim shumë të mirë me përfaqësues të Tik Tokut. Kemi arritur që t`i përkthejmë politikat e privatësisë në gjuhën shqipe, pra nëse hap një llogari në Tik Tok, njoftohet përmes gjuhës shqipe për të dhënat e veta”- tha Krenare Sogojeva Dermaku nga AIP

Ndryshe, prej 4 deri në 6  mars 2024 në Prishtinë u mbajt edicioni i tetë i konferencës ndërkombëtare për siguri kibernetike “Cyber Zero” në Ballkanin Perëndimor e organizuar nga Shoqata Kibernetike Shqiptare dhe Findbug.

Në këtë konferencë morën pjesë, zyrtarë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, zyrtarë të rrjetit social Tik Tok, ish zyrtarë të AKI-së dhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.

(Shgënim: Tekstit i është ndryshuar titulli – 20:23 – 09.03.2024)