Kandidatja për deputete nga Gjakova kundër monopolit në homologim të Pal Lekajt

Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-PSD, Burbuqe Bakija – Deva, ka thënë se është kundër monopolit në homologim, ndonëse, kolegu i saj nga partia, Pal Lekaj kohë më parë ia kishte vazhduar një kompanie monopolin në homologim.

Në një intervistë me 46 pyetje për KALLXO.com, Bakija- Deva ka thënë se me votën e saj do ta kushtëzonte kalimin e buxhetit për një projekt.

“Definitivisht me autostradën e Dukagjinit”, ka thënë ajo.

Kundër kandidatja për deputete u shpreh edhe për ndërtimin e hidrocentraleve nëpër lumenjtë e Kosovës.

“Kundër. Definitivisht kundër. Kemi opsione tjera alternative për prodhimin e energjisë elektrike. Mendoj që pasuritë tona natyrore duhet të mbrohen definitivisht”, deklaroi ajo.

Por, ajo u shpreh për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr në Kosovë.

 

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të AAK-së, Burbuqe Bakija – Deva:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Burbuqe Bakija – Deva: Sigurisht, Kosova është qind për qind shtet që nënkupton sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, mjedis, kulturë e arsim.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Burbuqe Bakija – Deva: Besoj që do të jem besnike ndaj votës së qytetarëve të mi.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Burbuqe Bakija – Deva: Duhet me u nda taksat që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, në veçanti taksat që ndikojnë në zhvillimin e produkteve vendore.

 KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Burbuqe Bakija – Deva: Fillimisht kisha insistuar që të ndryshohet amandameti i ligjit të prokurorimit i cili saktëson që kompania me çmimin më të lirë do të marrë projektet ose do t’a fitojë tenderin. Unë mendoj që nuk duhet të jetë kjo formulë, duhet të ndryshojë për shkak se jemi dëshmitarë që shumë projekte të nisura ose kanë mbetur të parealizuara ose kanë mbetur me cilësi të dobët, kjo vetëm për shkak të çmimit të ulët që ka fituar tenderin. Kjo formulë duhet të ndryshohet ashtu sic është në të gjitha vendet e Evropës. Njëkohësisht, mendoj që duhet të shikohet ligji për kalimin e ligjeve në parlamentin  e Kosovës, për shkak se ka një diskrepancë, në gjuhën angleze dhe shqipe, duhet të bëhet një mirëinterpretim, për arsye se çdo ligj i cili në afat një vjeçar nëse s’përfundohet deri në fund të vitit ai ligj duhet të shikohet prej fillimit. Mendoj që duhet të ndryshohet kjo pikë.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Burbuqe Bakija – Deva: Unë vij nga Komuna e Gjakovës dhe mendoj që Gjakova ka probleme për shkak se është vendi që ka dalë nga lufta më dëmet më të mëdhaja si në njerëz ashtu edhe në ekonomi. Mendoj që duhet të përqendrohemi në problemet sociale. Është e pamundur që me buxhetin komunal, komuna të mbërrijë të sigurojë strehime për të gjithë rastet sociale që i këna. Po ashtu dhe për kategoritë e dala nga lufta.

 KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Burbuqe Bakija – Deva:  Jo.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Burbuqe Bakija – Deva: Nuk besoj. Sepse besoj në atë që si grup parlamentar do të kemi konsensus dhe do të diskutojmë paraprakisht para se të shkojmë në votim. Mirëpo, nëse është çështje kombëtare, mendoj që do të jem vetvetja.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Burbuqe Bakija – Deva: Si qytetarë të Kosovës, mendoj që personat me aftësi të kufizuara është grupi më i diskriminuar në shoqërinë tonë. Besoj që do ta ndjejnë dorën time. Gjithashtu edhe komuniteti i artistëve sepse nga ajo fushë edhe vij, nga kultura, po ashtu edhe sportistët dhe rinia.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Burbuqe Bakija – Deva: Çështja e mjedisit në Kosovë nuk është vetëm e institucioneve. Mendoj që mjedisi duhet të niset nga vetvetja, nga familja, nga rrethi ku jetojmë po ashtu edhe në bashkëpunim me institucionet. Mendoj që duhet të iniciohet një kampanjë e mirëfilltë për vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e mjedisit. Mirëpo, do të insistoj edhe në respektimin e ligjeve në fuçi sepse Kosova njihet që i ka disa ligje shumë të nivelit të lartë. Ne kemi ligjin për mbrojtjen e mjedisit. Në fakt, nuk respektohet pika e ligjit ku duhet të jetë fondi për mjedisin. Ai fond ende nuk është themeluar, me të cilin fond do të kemi rast që shumë projekte të mëdhaja që do të realizohen në Kosovë do t’a kenë një përqindje të caktuar që do të përcjellin fondin për mjedisin. Gjithashtu e kemi edhe çështjen e taksës ekologjike e cila është e paraparë me ligj edhe jemi deshmitarë secili prej neve që kemi makina dhe paguajmë ka dhjetë euro për regjistrimin e makinave, ato fonde nuk shkojnë në fondin e mjedisit, por shkojnë në Ministrinë e Financave dhe ndahet nëpër ministri të ndryshme. Mendoj që këto taksa që jepen direkt për mjedisin duhet të shpenzohen nga mjedisi, duhet të shkojnë direkt të kthehen në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Burbuqe Bakija – Deva: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Burbuqe Bakija – Deva: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Burbuqe Bakija – Deva: Kundër. Vetëm në faktin që kanë dalë tash edhe formula të reja të plastikës të cilat kanë afatin e shpërbërjes së tyre më te shkurtër. Ato mund të përdoren. Përndryshe jo.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Burbuqe Bakija – Deva: Jam për. Pro shitjes së Telekomit, mirëpo jo në këtë gjendje çfarë është Telekomi, në këtë kolaps. Mendoj që duhet të punojnë institucionet tona, ta ngrisin vlerën aty ku e meriton Telekomi i Kosovës dhe pastaj të bëhet edhe privatizimi i tij.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Burbuqe Bakija – Deva: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Burbuqe Bakija – Deva: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Burbuqe Bakija – Deva: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Burbuqe Bakija – Deva: Kundër. Definitivisht kundër. Kemi opsione tjera alternative për prodhimin e energjisë elektrike. Mendoj që pasuritë tona natyrore duhet të mbrohen definitivisht.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Burbuqe Bakija – Deva: Mendoj që kjo pyetje nuk mund të përgjigjet me po ose jo. Kërkoj një elaburim tjetër. Bazuar në faktin se çfarë gjendje ekonomike janë familjet kosovare, mendoj që nuk kanë mundësi të gjitha ti çojnë në universitetet private. Kështu që mbyllja e këtyre kolegjeve apo universiteteve ndikon direkt në gjepin e qytetarëve tanë. Është fakt që nëse nuk i plotësojnë kushtet nuk akreditohen, ato nuk mund të vazhdojnë punën. Mirëpo besoj që duhet tu jepet një afat. Edhe një vit tjetër, edhe një vit tjetër, për tri herë radhazi. Nëse nuk i plotësojnë kushtet atëherë normal që duhet të mbyllen. Mirëpo, jo në herën e parë nëse nuk akreditohen, definitivisht nuk duhet të mbyllën. Do të jetë në dëm të qytetarëve tanë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Burbuqe Bakija – Deva: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Burbuqe Bakija – Deva: Jam lobuese shumë e fuqishme ndaj të drejtave të njeriut, në këtë rast edhe të komunitetit të personave qe kanë orientimet e tyre seksuale. Mirëpo, jam kundër martesave të tyre.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Burbuqe Bakija – Deva: Gati që e njëjta gjë. Nëse janë shkolla publike, mendoj qe duhet të respektohen ligjet në fuqi. Nëse janë njësi arsimore në kuadër të institucioneve fetare, ata kanë rregullat e veta dhe janë të lejume.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Burbuqe Bakija – Deva:  Kundër.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Burbuqe Bakija – DevaNëse ka raste që ka abuzime, pse jo.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Burbuqe Bakija – Deva: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Burbuqe Bakija – Deva Personalisht bashkë me familje. Normal me mbështetjen e miqve dhe vullnetarëve

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Burbuqe Bakija – Deva: Momentalisht e kam vetëm një vend pune. Jam zëvendës ministre në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit. Besoj edhe në të ardhmen që do ta kem vetëm një vend të punës të cilit do t’i përkushtohem.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Burbuqe Bakija – Deva: Bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët, diku rreth 3 mijë euro të hyra mujore. Ndërsa pasuri të paluajtshme bashkë me objekte rreth 480 mijë euro.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Burbuqe Bakija – Deva: Të përbashkët e kemi.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Burbuqe Bakija – Deva: Në spitalin publik në kombinim me ato private për shkak se disa sëmundje specifike dojn dhe bashkëpunimin me ato private, sidomos analiza e këto.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Burbuqe Bakija – Deva: Si zakonisht në spitalin publik. Sidomos tani me rastin e qeverisjes Haradinaj, jemi deshmitarë të investimeve që janë bërë në fushën  e shëndetësisë. Besoj që na kanë lakmi edhe spitalet private jo vetëm të Kosovës por edhe ato të rajonit.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Burbuqe Bakija – Deva: Kanë perfundu studimet fëmijët e mi. Te gjithë i kanë kry shkolat fillore, të mesme dhe studimet në shkolla publike. Përveç njëri djalë që studimet universitare i ka kryer në universitet privat.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Burbuqe Bakija – Deva: Vetëm një për momentin e kam pa punë. Është mjek. Punon si bashkëpunëtor i jashtëm në Universitetin e Prishtinës, por ai do të punësohet jo në mandatin tim por në bazë të meritave për shkak se është mjek. Si t’i jepet rasti ai do të punësohet.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Burbuqe Bakija – Deva: Tanimë jemi dëshmitarë që qeverisja Haradinaj ka zgjidhë problemin e Trepçës përmes ligjit për Trepçën. Ajo do të jetë në kombinim si bashkëpronarë Qeveria e Republikës se Kosovës.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Burbuqe Bakija – Deva: Definitivisht me autostradën e Dukagjinit.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Burbuqe Bakija – Deva: Mendoj që do të fokusohem në fondin shëndetësor, sigurimet pensionale si dhe projektet që do ta çojnë rininë përpara.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Burbuqe Bakija – Deva: Varësisht nga kërkesat e qytetarëve që do të jem në bashkëbisedim më ta, aq kërkesa do t’i kem.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Burbuqe Bakija – Deva:  Ju siguroj që do ta kem një zyrë të hapur për gjithë qytetarët, pavarësisht ata që me kanë votuar apo jo. Dhe dy herë në muaj do të kem takime të rregullta, sa herë që ata kanë nevojë.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Burbuqe Bakija – Deva: Më tepër se dhjetë vite mendoj që nuk duhet të importohen në Kosovë.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Burbuqe Bakija – Deva: Ajo varët prej komisionit ku do të jem e caktuar.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Burbuqe Bakija – Deva: Personalisht po. Mirëpo, mendoj që kjo është e rregullume edhe me ligj, nuk është obligative. Por personalisht po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Burbuqe Bakija – Deva: Mbasi që i takoj qeverisë Haradinaj, besoj që s’na jipet rasti neve me votu se vetë kryeministri Haradinaj do të japë dorëheqje.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Burbuqe Bakija – Deva: Besoj që votimi i kësaj qeverie do të jetë afatshkurtër deri në momentin sa të kalojë ligji për qeverinë.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Burbuqe Bakija – Deva: Jo më tepër se dy. Mirëpo, me specifika të caktuara, bjen fjala në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit besoj që duhet të jenë tre zëvendës ministra të mbulojnë secilën fushë veç e veç.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Burbuqe Bakija – Deva: Kurrsesi.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Burbuqe Bakija – Deva: Patjetër. Transparenca është edhe motoja e jetës sime.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Burbuqe Bakija – Deva: Gjithsesi, kudo që të jem. Atë kam bërë edhe deri më tani.