Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planet e AAK-së për kulturë, rini e sport

Kandidatja për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Burbuqe Bakija- Deva, ka thënë se nëse partia e saj vjen në pushtet, do të kujdesen për një menaxhim më të mirë të buxhet në kulturë, rini e sport.

Sipas saj, njëra nga punët e para që do ta bëjnë është ndërtimi i objektit të Operës dhe Baletit.

“Buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk është i vogël, mirëpo ne si Aleancë mendojmë që duhet të ketë një menaxhim më i mirë këtyre fondeve. Është fakt që nëse nuk e kemi infrastrukturën bazike për ushtrimin e aktiviteteve, normal që nuk mund të kemi as rezultate, e kemi rastin me objektet kulturore, objektin e operës dhe baletit, që për shkak të politikës, kemi arritë në pikën që nuk ia dimë as lokacionin as pas 12 viteve. Ne mendojmë që duhet të ketë një marrëveshje me komunën e Prishtinës, sepse edhe ashtu i ka skaduar leja lokacionit dhe të shihen mundësitë se ku duhet të vendoset ky objekt”, ka thënë Bakija- Deva në Debat Pernime.

Kandidatja për deputete nga AAK ka folur edhe për ndarjen e subvencioneve për ta ndihmuar kulturën e Kosovës.

“Përveç investimeve kapitale, e kemi edhe vijën buxhetore të planifikuar në plan programin e AAK-së e cila ngërthen bashkëpunimin në mes institucioneve për avanciminn e kulturës. Ne do të krijojmë komisione për ndarjen e subvencioneve ku pjesë e tyre do të jenë edhe shoqëria civile”, ka thënë ajo.

Zotimet e partive politike për kulturën, rininë dhe sportin, të cilat garojnë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit 2021, sonte në #DebatPernime.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burbuqe Bakija Deva nga AAK, Fahredin Spahija e Avdi Pireva nga LDK dhe Anesa Çolakoviq nga NDS.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.