Drejtori i shkarkuar: Nuk kam rënë pre e kërkesave të jashtëligjshme të Mytaher Haskukës

KALLXO.com raportoi së kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka shkarkuar drejtorin e Arsimit, Gani Gërmizaj, për shkak dyshimeve për parregullsi në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë kësaj drejtorie.

Gërmizaj i cili mbajti për 3 muaj këtë pozitë, ka reaguar duke thënë se përmes rrjeteve sociale është njoftuar për shkarkimin e tij nga ana e kryetarit.

Ai përmes një postimi në Facebook thotë se konkursi i fundit ka qenë në përputhje me ligjin e arsimit parauniversitar, dhe për dilemat që janë shfaqur gjatë konkursit i njëjti ka kërkuar edhe opinion nga Ministria e Arsimit, e cila i ka dhënë të drejtën në vazhdimin e procesit të konkursit.

Gërmizaj më tej ka thënë se “nuk ka rënë pre e presioneve dhe kërkesave të jashtëligjshme lidhur me konkursin nga Mytaher Haskuka, dhe klani që e rrethon atë”. Sipas tij, nuk kanë pasur mendim të njëjtë për 5 drejtorë të shkollave, pasi që thotë së i mban që 1 vit jashtëligjshëm.

“Si drejtor i përgjegjshëm i DKA-së në Prizren kam pasur mendim ndryshe nga z. Haskuka , i cili për afër 1 vit jashtë ligjshem i mban 5 drejtorë të shkollave si dhe nuk jam pajtuar që pjesë e komisioneve përzgjedhëse të jenë mbetjet e klanit pronto të cilët janë të denuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe shumë tjerë të cilët janë nëpër procese gjyqësore, e që për fatin e keq për të parin e Prizrenit nuk paraqesin ndonjë problem”, thuhet në postimin e tij.

Gani Gërmizaj ishte emëruar si drejtor i Arsimit në komunën e Prizrenit, në muajin maj .

Gërmizaj zëvendësoi Skender Susurin i cili dha dorëheqje pasi sipas tij partia nuk po i besonte. Ai ka thënë se ka pasur presion lidhur me konkurse për punë në sektorin që e udhëheq.

KALLXO.com, mësoi se kandidati i propozuar nga Nisma- Dega në Prizren, Gani Gërmizaj, është refer i futbollit.

Një kërkim i thjeshtë në Facebook, në llogarinë e tij private, Gani Gërmizaj shihet edhe në shoqërinë e Fatmir Limajt, kryetari të partisë dhe në shoqërinë e Ministrit Endrit Shala.