Punësimet partiake e familjare në Prizren ‘përplasin’ drejtorin e arsimit me asamblistët

Ashtu si edhe në seancat e kaluara edhe seanca e sotme filloi me akuzat për punësime partiake ndaj Skender Susurit, drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit.

Ishte asamblisti i Vetëvendosjes Karanfil Haxhillari ai që në seancat e kaluara kishe ngritur këto pretendime për punësime familjare e partiake.

 

https://kallxo.com/asamblisti-i-ldk-se-perplaset-me-drejtorin-e-haskukes-video/

 

Ndërsa sot Haxhillarit iu bashkuan edhe asamblistët e tjerë,  Mimoza Bushani asambliste nga VV, si dhe Dafina Bllaca asamblsite nga PDK që akuzuan drejtorin e arsimit Skender Susuri për parregullsi e shkelje ligjore nëpër konkurse.

Sipas Dafina Bllacës  Drejtoria e Arsimit po bën shkelje në secilin veprim të saj duke kërkuar që dikush t`i hetoj këto shkelje.

”Për hetime mjaftojnë punësimet familjare e besoj që ta duam shtetin nuk do të thotë të punësojmë njerëzit e familjes, por të mendojmë edhe për tjerët”, tha ajo.

Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe asamblistja e VV-së Mimoza Bushani.

“Në janar të vitit 2019, në një konkurs që kishte publikuar Drejtoria e Arsimit kishte shumë mungesa, e ndër to mungonte kualifikimi i duhur, edhe mungonin informata si orari i saktë i punës e mungesa tjera që kishte publikuar Drejtoria e Arsimit kishin munguar shumë të dhëna për konkursin. Po kryeni edhe shkelje tjera gjatë konkurseve”, tha ajo.

Edhe Ilir Baldedaj nga radhët e AAK-së, pati akuza ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skender Susuri.

“Kryeinspektori i Arsimit, nëpërmjet drejtorit të arsimit e ka punësuar vajzën e vet si drejtoreshë në shkollën e lagjes Dardania, paramendoni situatën kur drejtoresha bën ankesë në inspektoratin e arsimit, pra ankesën ja drejton babës së vet”, tha ai.

Por, Skender Susuri nuk vonoi në përgjigjen e tij drejtuar asamblistëve. Ai e pranoi se në disa konkurse tashmë të anuluara ka pasur nepotizëm si dhe mohoi për punësimin e vajzës së kryeinspektorit.

“Gabim e ka Ilir Baldedaj kur thotë se vajza e kryeinspektorit të arsimit është punësuar në shkollën e lagjes Dardania si drejtoreshë. Unë nuk e njoh fare se kush është kryinspektori i arsimit”, tha ai.

Tutje Susuri tha që lidhur me secilin vendim që e merr drejtori i DKA-së, ai fillimisht konsultohet me drejtoritë e inspektoratit të punës, që të sigurohet që vendimet janë të ligjshme.

Ndërsa për shkeljet e mundshme ligjore ai pati një porosi. ”Të shkojnë në prokurori e t`i adresojnë ato tjetër send është nëse keni tendenca personale ndaj drejtorit”, tha Susuri.