Shkarkimi i drejtorit, NISMA del nga koalicioni me Haskukën

NISMA Socialdemokrate, dega në Prizren ka reaguar pas shkarkimit të drejtorit të Arsimit, Gani Gërmizaj nga kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, duke thënë së nga ky rast e ‘bënë të pamundur qeverisjen me të”.

Gani Gërmizaj ishte kandidat i propozuar nga NISMA. Ai u shkarkua dje nëndyshimin për parregullsi në konkurs për mësimdhënës.

Kjo parti përmes një postimi në ‘Facebook’, e ka quajtur ‘veprim fëmijëror’ atë të Haskukës, por që shtojnë së konkursi i fundit në Drejtorinë e Arsimit, ishte në përputhje me Ligjin e Arsimit.

“Presionet dhe kërkesat e jashtëligjshme lidhur me konkursin, nga Mytaher Haskuka dhe klanit që e rrethon, që z.Gërmizaj të ndikoj te komisionet për llogari të personave që nuk i plotësonin kushtet  dhe nuk kishin përgatitje profesionale ishte i papranuar për përfaqësuesin e Nismës Socialdemokrate z.Gani Gërmizaj, sepse ai aty ishte që të respektonte ligjin dhe më të mirët e jo të plotësonte dëshirat e sëmura të individëve të papërgjegjshëm”, thuhet në reagimin e NISMA-së, dega në Prizren.

Më tej thuhet së Gërmizaj kishte pasur mendime ndryshe nga kryetari Haskuka sa i përket dy çështjeve.

“Drejtori i DKA-së në Prizren Gani Gërmizaj ka pasur mendim ndryshe nga z. Haskuka , i cili për afër 1 vit jashtë ligjshëm i mbanë 5 UD në shkolla,  po ashtu ai nuk është pajtuar që ata të jenë pjesë e komisioneve përzgjedhëse për rekrutimin  e punëtorëve të arsimit të dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe shumë tjerë të cilët janë nëpër procese gjyqsore, e që për fatin e keq, për z.Haskuka nuk paraqesin ndonjë problem”, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë.

KALLXO.com raportoi të mërkurën (28 korrik) së kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka shkarkuar drejtorin e Arsimit, Gani Gërmizaj, siç thotë ai, për shkak të parregullsive në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë kësaj drejtorie.

Gani Gërmizaj ishte emëruar si drejtor i Arsimit në komunën e Prizrenit, në muajin maj .

Ai zëvendësoi Skender Susurin i cili dha dorëheqje pasi sipas tij partia nuk po i beson. Ai ka thënë se ka pasur presion lidhur me konkurse për punë në sektorin që e udhëheq.

Drejtori i shkarkuar: Nuk kam rënë pre e kërkesave të jashtëligjshme të Mytaher Haskukës