Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Drama e subvencionimeve, vonesat e MKRS rrezikojnë projektet e OJQ-ve për rininë

Fondet për rini që MRKS do të duhej t’i kishte shpërndarë organizatave rinore nuk po procesohen duke i lënë kështu aktivitetet rinore të pa subvencionuara fare për vitin 2023.

Kosova që e reklamon veten si shteti me rininë më vitale në Europë po heziton të financojë pikërisht projektet rinore.

‘Drama’ për financimin e projekteve të OJQ-ve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit [MKRS] ka nisur me 23 mars 2023 kur është hapur thirrja për mbështetje të projekteve në fushën e rinisë që subvencionohet çdo vit.

Edhepse janë planifikuar të ndahen rreth 400 mijë euro për aktivitetet rinore, ato ende nuk po shpërndahen përkundër faktit që 22 organizata kanë kaluar procedurat e përzgjedhjes nga MRKS. Qysh më 7 gusht të këtij viti u publikua lista përfundimtare e projekteve të mbështetura nga MKRS por përfituesit nuk po ftohen për nënshkrim të kontratës.

Vonesa e alokimit të fondeve nga MKRS tek OJQ-të përfituese rrezikon realizmin e projekteve por edhe varfëron ofertat për aktivitete rinore.

OJQ-ve do t`u mbeten më pak se dy muaj t’i realizojnë projektet e tyre, në të kundërtën rrezikojnë penalizim nga MKRS për mbështetje në vitet në vazhdim. Kjo, si rezultat ndikon në uljen e kualitetit të projekteve, për shkak se të hollat që do ishin dashur të ushqejnë aktivitetet rinore gjatë tërë vitit do të duhej të harxhohen për dy muaj

KALLXO.com ka dërguar pyetje në MKRS lidhur me vonesat në alokimin e mjeteve tek OJQ-të përfituese në rini, por MRKS nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Pritja prej muajsh…

Në anën tjetër, OJQ-të përfituese nga thirrja e 23 marsit 2023, të kontaktuara nga KALLXO.com, kanë konfirmuar se ende janë në pritje të alokimit të mjeteve për realizimin e projekteve të tyre.

Jehona Gjurgjeala, drejtoreshë ekzekutive e OJQ “Toka”, ka thënë për KALLXO.com se pavarësisht interesimit, nuk i kanë të qarta arsyet e vonesave për alokimin e mjeteve nga Ministria.

“Arsyet nuk janë të qarta, përmenden procedurat e brendshme. Krejt çka unë kuptoj është se gjithmonë dikush pret që dikush tjetër me e kry një punë, para se ky i pari me mujtë me kry punën e vet. Thirrja është mbyllur në prill, ne po hyjmë në tetor pa nënshkruar kontratën. Pra, kanë kaluar gati gjysmë viti – e ende nuk është realizuar kontrata”- ka thënë Gjurgjeala.

Projekti i OJQ ‘Toka” – “Dita e Solidaritetit në Kosovë 2023-24” është mbështetur në shumën  36,082 euro nga MKRS.

 “Kur kemi aplikuar, kemi menduar se do t’i kemi së paku 6 muaj për t’i realizuar aktivitetet. Tani nuk do t’i kemi as 3 muaj. Kjo situatë jo vetëm që rrezikon projektin, por edhe qëndrueshmërinë e sektorit rinor në Kosovë. Më e keqja është që e gjithë kjo ndikon që oferta e aktiviteteve në Kosovë për të rinj të varfërohet – në një kohë kur po liberalizohen vizat dhe ekziston rreziku i madh që ata ta braktisin Kosovën”- ka thënë drejtoresha Gjurgjeala.

Sipas saj, MKRS-në e përcjellin shumë defekte kur është fjala për trajtimin e projekteve në fushën e rinisë.

 “Mendoj se komentet e publikuara nga Komisioni Vlerësues i MKRS shpërfaqin një mungesë të profesionalizmit – si nga njohuritë dhe qasja. Shumë nga arsyet e refuzimeve (të projekteve) nuk kanë pasë bazë në kriteret e Thirrjes, ndërsa gjuha që përdoret shpërfaq një qasje mospërfillëse dhe përbuzëse ndaj OJQ-ve të cilat janë partnerë kyç i institucioneve në mbështetjen e rinisë”- ka thënë Gjurgjeala për KALLXO.com

 Edhe nga Instituti Cilësor për Hulumtime Analiza dhe Trajnime- ICHAT, kanë konfirmuar për KALLXO.com se ende janë në pritje të ftesës së MKRS për të lidhur kontratën për realizmin e projektit të tyre “Zhvillimi i kapaciteteve dhe shkathtësive të të rinjve përmes metodologjisë së edukimit joformal, mentorim dhe këshillim” të mbështetur në vlerë prej 15,005 euro.

Nga ICHAT thonë se nëse ka vonesa do të detyrohen të ri-programojnë dhe ri-planifikojnë aktivitetin e tyre rinor.

“… nëse zgjatet (nënshkrimi i kontratës) atëherë duhet të ri-planifikohet periudha e implementimit të projektit”- kanë thënë nga ICHAT për KALLXO.com.

Ndërkaq, Rita Zhubi nga OJQ “Grupet Mbështetëse për Shëndet Mendor të Kosovës”, projekti i së cilës nuk është mbështetur nga MKRS është treguar më e ashpër me politikat që po ndjek MKRS për mbështetjen e projekteve për rini.  

“Problemi kryesor është se OJQ-të që po përfitojnë nuk janë organizata rinore siç parashihet në thirrje. Ata kërkojnë kualifikime dhe aplikime ‘perfekte’ dhe zgjedhin OJQ të cilat dihet se janë të drejtuara nga individ senior dhe më në moshë, kur esenca është motivimi i të rinjve për të treguar aktivizëm dhe iniciativë në shoqëri. Pra nuk ju jepet shansi as ideve të mira dhe organizmit kolektiv”- ka thënë ajo.

Viti fiskal i Kosovës përfundon më 31 dhjetor dhe MRKS është njëra prej Ministrive që nuk po mund të harxhojë buxhetin e planifikuar, veti kjo që është sindromë i administratave joefikase. Burime brenda MRKS tregojnë se arsyeja e vërtetë pse po stagnojnë projektet është përçarja mes udhëheqësve të departamenteve në MRKS dhe zyrtarëve tjerë të punësuar në MRKS në kohë të qeverisjeve LDK, PDK e AAK dhe stafit politik të VV-së që ka ardhur në pushtet në 2020 pasi që i përjetoi rreth 15 vite në opozitë. Përçarja ka kaluar në sabotim të punës së njëri-tjetrit, duke tentuar të ja fakturojnë dështimin njëri-tjetrit, duke mbajtur kështu peng projektet rinore dhe kulturore. 

Ilustrim i kësaj përçarje është edhe fakti që shumë prej zyrtarëve të MRKS janë nën hetime për abuzim fondesh. Më saktësisht dy drejtorë të MRKS Xhevat Bajrami, drejtor i tanishëm i Departamentit të Rinisë dhe Feim Hoxha, drejtor i tanishëm i Departamentit Ligjor, janë në gjykim për keqpërdorim të 800 mijë eurove të manifestimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës

MRKS nuk e ka mohuar, as pohuar, që këto përçarje janë arsyeja e vonesës deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi.

Thirrja problematike

Më 23 mars 2023 MKRS hapi thirrjen për projekt-propozime në fushën e rinisë. Thirrja ishte ndarë në tri kategori, dy të parat ishin për projektet të OJQ-ve, ndërsa e treta për ato të individëve. Vlerat financiare e kësaj thirrje e caktuar në dy kategoritë e para, për OJQ, është 375 mijë euro, (250 mijë euro për kategorinë parë dhe 125 mijë për të dytën). MKRS kishte renditur një vargë kriteresh për OJQ-të që duhet të plotësonin për të përfituar mbështetjen për projektet e tyre.

Lista preliminare e projekt-propozimeve të mbështetura nga MKRS doli më 26 qershor 2023, ku ishin mbështetur vetëm 6 propozim-projekte në vlerë totale prej mbi 83,000 euro. Pas ankesave të OJQ-ve, MKRS kishte shtuar numrin e projekt-propozimeve të OJQ-ve përfituese prej 6 në 22 në vlerë të përgjithshme me mbi 251 mijë eurove. Por, MKRS nuk ka specifikuar se cilat projekte të mbështetura kishin aplikuar në kategorinë e parë e cilat në të dytën siaps Thirrjes së 23 marsit të 2023.

Përveç kësaj, përkundër faktit që Kosova ka mungesë të aktiviteteve rinore dhe hapësirave sportive e kulturore, edhepse 400 mijë euro janë dedikuar për shpenzim në projekte rinore, MRKS nuk kishte arritur të vendos se më shumë se 251 mijë euro vlen të dedikohen për rini.