Flamuri i Kosovës - Foto: Rtv21

Temat e rënda, trashëgimia 11 vjeçare e Pavarësisë që pritet të vazhdojë

“T’i heqim këto tema të që i kemi para vetes si Kosovë, që në zgjedhjet e ardhshme të jenë për vende të punës, për shëndetësi, për arsimim ma të mirë, për ekonomi, për zhvillim ma të mirë”, kishte thënë Haradinaj gjatë një konference për media në shkurt të këtij viti.

Por cilat janë temat e rënda me të cilat është përballur Kosova që nga shpallja e Pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008.

Këto lloj temash e kanë përcjellë Kosovën me dekada, ndoshta me shekuj.

Temat e rënda nuk përfunduan bashkë me luftën në qershor të 1999. Tema të tjera të rënda lindën së bashku me lirinë në Kosovë.

Pas luftës së Kosovës dhe intervenimit të NATO-s dhe fitimit të një pjesë të rëndësishme të lirisë, në Kosovë u krijuan institucione të reja. Këto institucione u quajtën vetëqeverisëse dhe ishin nën ombrellën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Këto institucione kishin para vetes shumë sfida të reja, por më rëndësishmja statusi i Kosovës dhe rruga e saj drejt shpalljes së Pavarësisë.

Më të rëndësishme ishin negociatat e Vjenës nën organizmin e presidentit Marti Ahtisari, të cilat më vonë do të përfundonin me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Njerëzit besuan se tashmë puna është kryer dhe mirëqenia e tyre do të rregullohet. Problemet nuk u zhdukën, por u krijuan sfida të reja.

Mirëpo, 17 Shkurti nuk i përfundoi të gjitha, por veç hapi dyert për temat e rënda.

Kosovës i duhej njohje ndërkombëtare. Temë e rëndë e kohës ishte marrja e njohjeve të reja. Kjo edhe tani mbetet sfidë për Kosovën. Disa shtete kanë filluar t’i tërheqin njohjet, ndërsa Kosova vazhdon të flasë për një dialog që do shpinte në njohje reciproke të shtetësisë ndërmjet saj dhe Serbisë.

Duke mos u pajtuar me votimin e të zgjedhurve të Kosovës për të votuar për shpalljen e Pavarësisë, Serbia i ishte drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të kundërshtuar legjitimitetin e shpalljes së Pavarësisë.

Kjo përbënte një sfidë të re për Kosovën. Do duhej mbledhja e juristëve më të mirë të shtetit dhe miqve ndërkombëtarë për ta mbrojtur vendimin e deputetëve më 17 shkurt të 2008. Kjo betejë juridike u fitua në korrik të 2010 kur GJND i dha plotësisht të drejtë dhe e cilësoi si legjitime vendimin e Kuvendit.

Mirëpo, pak para vendimi të GJND-së, kryeministri i atëhershëm, tash president i vendit, Hashim Thaçi kishte ngazëllyer qytetarët kur kishte deklaruar se brenda 12 muajve qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin lirshëm nëpër shtetet e Bashkimit Europian.

Ky premtim është përsëritur gjatë viteve me dhjetëra herë. Jo vetëm nga Hashim Thaçi por nga të gjithë politikanët që për këto 10 vite kanë qenë të veshur me rrobat e pushtetarit.

Qytetarët e Kosovës nuk lëvizin nëpër vendet e BE-së edhe pas 11 viteve jetesë në një vend të pavarur.

Meqë liberalizmi vazhdon të jetë “temë e rëndë” që nga 2009 e këndej, temë tjetër e rëndë për politikanët e pastaj edhe në tavolinat e kosovarëve ishte edhe dialogu Kosovë – Serbi.

Për herë të parë, ky dialog filloj 8 vite më parë, në mars të 2011 që quhej dialog teknik. Pastaj dialogu filloi edhe në faza tjera atë të normalizimit të marrëdhënieve apo dialogu politik në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Këtë delegacion e kishte udhëhequr për më shumë se 6 vite, Edita Tahiri.

I gjithë dialogu 6 vjeçar nga politikanët kosovarë ishte vlerësuar si një nga temat e rënda me të cilat ata duhet përballur.

Në muajt e parë të 2013, Kosova u përball gjatë me debate politike të gjata në lidhje me votimin e marrëveshjes me Serbinë, e cila u pat votuar përfundimisht në prill të atij viti.

Gjatë tërë këtyre viteve, Kosova po përballej me “temën e rëndë” të liberalizimit të vizave.

Në 2014, kryeministri Hashim Thaçi kishte nxjerrë Qeverinë e tij në mocion mosbesimi, për shkak të mosarritjes së marrëveshjes për krijimin e ushtrisë në atë kohë.

Politikanët në Kosovë nuk po arrinin të bindnin deputetët serbë që të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapnin rrugë transformimit të FSK-së në ushtri.

Kushtetuta e Kosovës për t’u ndryshuar kërkon edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Në Kuvendin e Kosovës minoritetet gëzojnë 20 ulëse të siguruara, ku 10 prej tyre me automatizëm u takojnë deputetëve të partive politike serbe.

Transformimi i FSK-së në Ushtri vazhdoi të jetë temë e rëndë për politikanët për vite të tëra. Duke parë mosgatishmërinë e Listës Serbe për të dhënë votat për ndryshime kushtetuese, Qeveria e Kosovës duke u mbështetur në ndihmën e ShBA-së, votoi për transformimin e Ushtrisë veç në fund të vitit të kaluar, më 14 dhjetor 2018.

2015 solli debate të reja në Kosovë, të cilat vazhdojnë të jenë temë diskutimeve edhe sot, jo vetëm mes taborëve politike por edhe qytetarëve.

Në verën e këtij viti, Kosova kishte nënshkruar 2 marrëveshje ndërkombëtare dhe mori një vendim të rëndësishëm në Kuvend.

U themelua Gjykata Speciale dhe u nënshkrua Marrëveshje e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe ne Kosovë. Kjo e fundit kishte ardhur si derivat i “temës së rëndë” të marrëveshjes së prillit të 2013.

Opozita e atëhershme për këto tema kishte mbajtur protesta të ndryshme. Kishte hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit, deputetët ishin arrestuar, nxjerrë zvarrë prej ulëseve të tyre. Ndërsa Kryeministri dhe vartësit e tij ishin sulmuar me vezë e ujë.

Demarkacioni u votua vetëm 3 vjet pas arritjes së marrëveshjes, me një kusht – rishikimin e saj. Ajo ishte votuar edhe nga kundërshtari i saj më i madh i kohës, sot kryeministri Ramush Haradinaj.

Gjykata Speciale që ka nisur punën së fundi, ishte tentuar të shfuqizohet dy vite e gjysmë pas krijimit. Në fund të 2017 deputetët e Kuvendit ishin mbledhur për ta shfuqizuar, por ishin zmbrapsur pas kundërshtisë së madhe të ndërkombëtarëve. Iniciator i kësaj ishte parë Hashim Thaçi, që kishte qenë lobuesi më i madh vendor i krijimit te kësaj gjykate.

Ndërsa për Asociacionin e Komunave Serbe kishte pasur  edhe një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila interpretohej ndryshe nga opozita dhe ndryshe nga pozita e atëhershme.

Sot edhe vetë nënshkruesit e asaj marrëveshjeje e kanë frikën se ky Asociacion mund të ketë kompetenca ekzekutive.

Asociacioni nuk është jetësuar edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 vite e gjysmë prej nënshkrimit të saj në Bruksel.

Ndërsa tani temë e rëndë aktuale po cilësohet ideja e presidentit Hashim Thaçi që po kërkon korrigjim të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas Thaçit ky korrigjim i kufijve do të sjellë bashkimin e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, ndërsa thotë se nuk i intereson për pretendimet e palës serbe.

Kjo temë e rëndë po diskutohet në kuadër të fazës së dialogut final në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë temë janë përfshirë drejtpërdrejtë edhe fuqitë më të mëdha botërore, përfshi Amerikën, Rusinë, Gjermaninë, Francën etj.

Të gjithë po kërkojnë zgjidhje të situatës gjatë këtij viti.

Që nga maji i vitit të kaluar kjo temë vazhdon të diskutohet pothuajse çdo ditë në Kosovë, ndërsa nga nëntori ky debat është lidhur edhe me taksën prej 100% që Qeveria e Kosovës e ka vënë ndaj produkteve serbe dhe boshnajke.

Presidenti, kryeministri dhe vartësit e tij në pothuajse çdo paraqitje publike flasin për këto dy tema, taksën dhe korrigjimin.

Përderisa Kosova ballafaqohet me temat e tilla të rënda, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të ngujuar duke mos pasur mundësi të lëvizin lirshëm.

KALLXO.com para disa ditëve raportoi për mosfunksionimin e aparaturës së radioterapisë, në të cilën marrin shërbim pacientët e prekur nga sëmundja e kancerit.

Javën e kaluar një 22 vjeçar vdiq në vendin e tij të punës, ndërsa Kryeinspektorit nuk iu hap dera për të inspektuar vendin e ngjarjes.

Deri në tetor të vitit të kaluar, për 5 vite në Kosovë kanë vdekur 93 punëtorë në vendin e tyre të punës.

https://kallxo.com/kerkohen-masa-emergjente-nga-qeveria-per-93-punetoret-e-vdekur-ne-vendet-e-punes-foto/

Në Qeverinë e Kosovës momentalisht janë 5 zëvendëskryeministra, 20 ministra e mbi 80 ministra. Mirëpo në Kosovë, numri i inspektorëve të punës është veç 44.

Ndërsa paga minimale në Kosovë vazhdon të mbetet e njëjtë që nga 2011. Pagat minimale për personat deri në moshën 35 vjet është 130 euro, ndërsa për ata mbi 35 është 170 euro.

Gjithashtu, përderisa bartësit e institucioneve flasin për korrigjim të kufijve, investitorët e huaj po rrezikojnë natyrën në Kosovë.

Lumi Lumbardh po rrezikon të hyjë në gypa, pas kërkesës për investim të një kompanie austriake për ndërtimin e një hidrocentrali në Lumbardhin e Pejës.

Ndërsa vet ministri i Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, Fatmir Matoshi tha në emisionin Jeta në Kosovë se vendi ynë është vendi më i varfër në rajon për rezerva ujore.

Arton Demhasaj, njohës i çështjeve politike në vend në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se nuk beson që “argumenti” i pushtetarëve për tema të rënda do të përfundon pas arritjes së marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Konsideroj që është problem, në rast se themi që po arrihet marrëveshja finale me Serbinë dhe po përfundojnë këto çështje e mëdha dhe po merremi me çështje të brendshme, sepse ende s’ka përfundu liberalizimi i vizave, mund të fillojnë proceset e integrimit euroatlantik qoftë në mekanizmat ndërkombëtar, apo proceset e BE-së. Prapë se prapë ka me pasë tema të tilla që kanë me pengu Kosovën mos me pas fokusin tek edukimi, shëndetësia e te problemet e tjera”, tha Demhasaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas tij, arsyetimet nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

“Kanë me gjetë arsyetime ta të tilla për me arsyetu mos zhvillimin ekonomik apo çështjet e arsimit e të shëndetësisë”, tha në mes tjerash Demhasaj.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë ka treguar se cilat janë kërkesat më të mëdha të gazetarëve për qasje në informacion brenda Qeverisë së Kosovës.

“Interesimi më i madh i gazetarëve për të marrë informacion brenda Zyrës së Kryeministrit në muajt e fundit lidhet me taksën, se ku do të hiqet, cili është qëndrimi i Qeverisë për presionet që po bëhen. Ndërsa në fillim të 2018 ka qenë për demarkacion se a do të kalojë apo jo në Kuvend si dhe çështja e vizave dhe përmbushja e kushteve për liberalizim”, tha Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjatë javës së kaluar në Kosovë ka qëndruar një delegacion i administratës amerikane, të cilët kanë kërkuar heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut.

Përderisa dy zyrtarët më të lartë shtetërorë, presidenti dhe kryeministri po ecin shtigjeve të kundërta sa i përket “temës së rëndë” të korrigjimit të kufijve, debati i ka ‘infektuar’ edhe qytetarët në tavolinat e të cilëve çdo ditë diskutohet për temat politike aktuale.