Foto: Kallxo.com

Kërkohen masa emergjente nga Qeveria për 93 punëtorët e vdekur në vendet e punës - FOTO

Protestuesit me 93 helmeta në duart dhe kokat tyre marshuan drejt Qeverisë së Kosovës për 93 punëtorët e vdekur në vendet e punës në 5 vitet e fundit.

Nën moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”, ata u nisën në rresht për një nga sheshi “Zahir Pajaziti” për t’i vendosur më pas helmetat në rrethojat e objektit të Qeverisë së Kosovës.

Një nga një, secili prej pjesëmarrësve i vendosën helmetat nga numri 1 deri në numrin 93 nëpër rrethojat e objektit të Qeverisë për të kërkuar përgjegjësi për 93 vdekjet e punëtorëve në vendet e punës.

Kushtrim Mehmeti nga organizata “Beyond the Wall” ka thënë se për çdo të vdekur në vend të punës do të shtohet nga një helmetë në rrethojat e qeverisë dhe për çdo rast që zbardhet helmetat do të largohen nga rrethojat e objektit të Qeverisë.

“Protesta me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona” ka me vazhdu nëse këta bashkë me mafian e ndërtimin nuk ndërmarrin diçka. Janë 93 helmeta me numra, numri i vdekjeve në ma pak se 5 vite, këto helmeta do të shtohen për çdo vit nëse shtohen vdekjet dhe do të largohen nëse ato zbardhen. Nëse qeveria i largon helmetat ata llogariten bashkëfajtorë me përgjegjësit për rastet e vdekjeve”, ka deklaruar Mehmeti.

Mehmeti ka thënë që kjo protestë është organizuar për të rritur vetëdijen për gjendjen e punëtorëve në vendin e punës. Ai ka potencuar se nga fillimi i vitit deri në muajin tetor kanë vdekur 18 punëtorë në vendin e punës.

“Protesta po organizohet për rritje të vetëdijes, gjendja e punëtorëve është e mjerueshme. Jemi në muajin e 10-të e kanë vdekur 18 persona. Inspektorati po bënn inspektime por nuk ka rezultat”, ka thënë Mehmeti.

Njëra ndër kërkesat e kësaj proteste ishte edhe rritja urgjente e numrit të inspektorëve të punës. Mehmeti e ka konsideruar faktin që në Kosovë ka një numër të vogël të inspektorëve të punës.

“Numri i inspektorëve është veç 44, ata synojnë me inspektu Kosovën në të drejtat e punëtorëve derisa ATK i ka 400 inspektorë kjo tregon se qeveria është më e interesuar për para se për jetën e punëtorëve. Kërkojmë që në një kohë të shkurtë urgjentisht me u shtu numri i inspektorëve dhe me i siguru ata, nuk ka nevojë me u shitë inspektorët për një hamburger se ua blejmë ne”, ka potencuar Mehmeti.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës për masa urgjente përndryshe protestat për të drejtat e punëtorëve do të ashpërsohen.

“Helmetat kushtojnë 1 euro e 30 cent, këto helmeta as lapsin se ndalin, janë veç sa për dekor e me dekor nuk shkohet në punë. Kërkojmë nga qeveria masa urgjente se këto protesta do të ashpërsohen, kjo është gjendje lufte për 10 muaj 18 persona kanë vdekur, kjo është gjendje e jashtëzakonshme. Mos të presim që të na vdes edhe dikush që me protestu”, ka theksuar Mehmeti.

Kushtrim Mehmeti nga “Beyond the Wall” ka treguar se njëra nga kërkesat të cilat janë duke i përpiluar për të drejtat e punëtorëve është që të ketë pension për familjet e punëtorëve të vdekur.

Pjesë e kësaj proteste ishte edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së sektorit privat të Kosovës i cili e ka konsideruar rekord që nga paslufta, numrin e punëtorëve të vdekur në vitin 2018.

“Shteti për këtë nuk e ka tregu interesin më të vogël, nëse vdesin 18 persona duhet me marrë dikush përgjegjësi e askush te ne nuk e ka marrë atë. Një pjesë e punëtorëve të vdekur kanë qenë të rinj e disa kanë qenë të vetmit meshkuj në shtëpi e shteti nuk ka bërë asgjë për këtë. Ato janë jetë të njerëzve dhe jo të pulave, në shtetet e tjera do të jepte dikush dorëheqje e te ne kjo nuk ndodhë”, tha Azemi.