Gjykimi për shpifje që priti 7 vite e 8 muaj

Gazetarja Saranda Ramaj dhe Grupi “Koha”, kanë pritur plotë 7 vite 8 muaj e 25 ditë për të marrë përgjigje nga Gjykata e Prishtinës për një padi të ushtruar ndaj tyre.

Kallxo.com ka analizuar dosjen e lëndës dhe ka konstatuar se gjykata nuk kishte bërë përpjekje që deri në këtë afat të caktonte një seancë dhe të niste trajtimin e rastit.

Më 15.08.2015, Gjykata e Prishtinës e kishte pranuar padinë e ushtruar nga Ismet Osmani, i njohur me nofkën “Curri” – kundër gazetares Saranda Ramaj dhe Grupit KOHA.

Më 10.05.2023, kishin kaluar plotë 7 vite, 8 muaj e 25 ditë prej se u mbajt seanca përgatitore nën udhëheqjen e gjyqtares Rrezarta Sylejmani- Voca.

Ligji për Procedurë Kontestimore përcakton se në seancën përgatitore bëhet shtjellimi i padisë nga paditësi, e pastaj i padituri në të njëjtën mënyrë e parashtron përgjigjen në padi, por kjo seancë në këtë rast i dha epilog këtij kontesti.

Në të njëjtën seancë padia u konsiderua e tërhequr për shkak të mungesës së përfaqësuesit të paditësit.

Në seancën e mbajtur në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën e Prishtinës, ishin prezentë gjyqtarja e vetme gjykuese e rastit, Rezarta Sylejmani- Voca, përfaqësuesja e palëve të paditura, avokatja Gerta Ragipi, por jo edhe Alban Arifi, avokati i paditësit.

Në procesverbalin e seancës gjykata kishte konstatuar se ky i fundit kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt nga Gjykata dhe ftesën së bashku me përgjigjen në padi e kishte marrë që nga muaji mars 2023.

Por në datën e caktuar mungonte, dhe mungesën nuk ia kishte arsyetuar gjykatës.

Këtë mungesë të paarsyetuar të palës paditëse e kishte shfrytëzuar përfaqësuesja e gazetares Ramaj dhe Grupit KOHA, me ç’rast konform dispozitës 509 të Ligjit për Procedurën Kontestimore ka kërkuar që padia të vlerësohet e tërhequr.

Kjo kërkesë e avokates Gerta Ragipi ishte aprovuar nga Gjykata.

Në aktgjykim thuhet se, Gjykata e ka konsideruar të tërhequr padinë duke u bazuar në nenin 409, par. 1 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Kjo dispozitë përcakton se në qoftë se “në seancën përgatitore nuk prezanton pala paditëse edhe pse është e thirrur, padia konsiderohet e tërhequr, përveç kur i padituri kërkon që seanca të mbahet në mungesë të paditësit”.

Aktgjykimi i siguruar nga BIRN për më tepër thekson se pas përfundimit të  seancës, nga administrata, gjyqtarja ka pranuar parashtresën për tërheqje të padisë së ushtruar nga “Curri” personalisht.

Këtë parashtresë paditësi e kishte dorëzuar më datë 08.05.2023, dhe në të njëjtën tërheqjen e kishte arsyetuar me kohën e gjatë prej parashtrimit të padisë, duke e parë të pakuptimtë vazhdimin e mëtejmë të procedurës. Për të cilën ishte shprehur se nuk kishte as vullnet, e as energji.

Ismet Osmani – “Curri”, kishte ushtruar padi kundër Grupit Koha dhe gazetares Saranda Ramaj pasi, sipas tij kishin përhapur në formë permanente shpifje dhe fyerje, të pavërteta ndaj tij lidhur me përfshije në fajde, detyrim por edhe afërsi me kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Paditësi ishte ankuar po ashtu se Ramaj kishte përdorur raportimet e një mediumi ndërkombëtarë OCCRP, të cilat, sipas tij, raportonin pa bazë, jo saktë dhe pa u mbështetur në fakte.

Sipas padisë “Curri” dhe familja e tij kishin përjetuar pasoja emocionale dhe psiqike nga shpifjet e pretenduara, se bashkëshortja dhe fëmijët e tij ishin përballur me vështirësi për të gjetur punë, me humbje të mundësive afariste në të tashmen, stigmatizim nga rrethi dhe pasoja në jetën sociale të paditësit dhe familjes së tij.

Vetë gazetarja Saranda Ramaj është shprehur se “biznesmeni që tashmë zyrtarisht ishte i akuzuar për fajde nuk pati guxim të ballafaqohej në gjykim”.

Sipas dosjes edhe paditësi edhe palët e paditura kishin kërkuar shpenzimet procedurale.