Fëmijët e Rugovës: Njëri e deklaron pensionin e nënës e tjetri jo

Dy anëtarët të familjes së ish Presidentit Ibrahim Rugova kanë deklaruar të ardhura të ndryshme në deklarimin e pasurisë.

Vajza dhe djali i Ibrahim Rugovës, të dy zyrtarë të lartë shtetëror kanë dhënë shifra të ndryshme në deklarimin e pasurisë sa i përket të ardhurave të nënës së tyre, Fana Rugovës, gruas së ish presidentit Rugova.

Në deklarimin e pasurisë, deputetja Teuta Rugova e ka deklaruar edhe një pension prej 400 euro që Lidhja Demokratike e Kosovës i’a jep nënës së saj, Fana Rugovës.

Mirëpo këtë nuk e ka deklaruar edhe vëllai i saj, Mendim Rugova, fëmiu tjetër i Fana Rugovës.

Teuta Rugova ka deklaruar 400 euro pension nga LDK dhe 2 mijë e100 euro nga Presidenca.

Ndërsa, Mendim Rugova ka deklaruar vetëm pensionin e presidencës, madje me 100 euro më pak. Ai ka deklaruar se nëna e tij merr pension 2 mijë e 11 euro.

Mos deklarimi i pasurisë është vepër penale në kodin penal të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e LDK-së, Besian Mustafa, por i njëjti nuk ka qenë në dijeni nëse LDK i jep pension Fana Rugovës.

Ai ka premtuar se do e njoftoj redaksinë e KALLXO.com sapo të merr informacione.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës disa herë nga ndarë para për t’i paguar disa punëtorë që punojnë në shtëpinë e familjes Rugova.

https://kallxo.com/gjnk/shteti-paguan-shtate-rojtare-per-familjen-e-ibrahim-rugoves/

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së deputetes Teuta Rugova.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së Kordinatorit për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit.

Në anën tjetër, edhe Teuta edhe Mendim Rugova e kanë deklaruar shtëpinë/residencën e Ibrahim Rugovës si pasuri të trashëguar dhe të përbashkët me vlerë prej 1.5 milion euro si dhe një banesë 68 metra katror me vlerë prej 68 mijë euro.

Paga vjetore e Teuta Rugovës si deputete kap vlerën 18 mijë e 700 euro ndërsa paga mujore e Mendim Rugovës është deklaruar 1 mijë e 732 euro.