Lahi Brahimaj - Foto: RTK

Daja i Ramush Haradinajt mori subvecion 17 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë

Sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Lahi Ibrahimaj, daja i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka deklaruar 430 mijë pasuri të paluajtshme, 84,300 mijë euro pasuri të luajtshme, 550 euro para të gatshme dhe 45,865 mijë euro të hyra vjetore.

Por edhe përkundër kësaj, Ibrahimaj ka marrë subvencion nga Ministria e Bujqësisë në vlerë 17,392 mijë euro.

Lahi Ibrahimaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 430 mijë euro.

Ai ka deklaruar dy shtëpi banimi, njëra kullë guri 600 metra katrorë në vlerë 300 mijë euro.

Përveç shtëpive të banimit, Ibrahimaj ka deklaruar një tokë bujqësore 50 mijë metra katrorë. Sipas Ibrahimajt, vlera e kësaj tokë është 100 mijë euro.

Sa i përket pasurisë së paluajtshme, Ibrahimaj ka deklaruar një truall 300 metra katrorë në vlerë 30 mijë euro.

Të gjitha këto prona të paluajtshme Ibrahimaj ka thënë se janë trashëgimi familjare dhe janë në pronësi të përbashkët.

U.D i drejtorit të Administratës në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, Lahi Ibrahimaj në AKK ka deklaruar pasuri të luajtshme në vlerë 84,300 mijë euro, shumica e tyre janë pajisje bujqësore. Të gjithë pasurinë e luajtshme e ka deklaruar që e ka në emër të tij.

Ibrahimaj ka thënë se posedon tre traktorë të ndryshëm. Një traktor ‘Grand’ për bujqësi në vlerë 40 mijë euro, një tjetër në vlerë 4,500 mijë euro dhe të tretin me vlerë 5,500 mijë euro.

Përveç traktorëve, ai ka deklaruar se posedon një bager të vogël në vlerë 9 mijë euro, kombajnë të cilin e ka blerë nga shitja e grurit në vlerë 6,300 euro dhe vegla pune bujqësore që prekin shumën 6 mijë euro.

Përveç mjeteve bujqësore, Ibrahimaj ka deklaruar ka deklaruar se ka pronësi edhe një orë dore nga familja në vlerë 5 mijë euro.

Ibrahimaj ka deklaruar se vetura të cilën e ka në pronësi që nga vitit 2012 vlerësohet me 11 mijë euro.

Ndryshe nga pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme, Ibrahimaj ka deklaruar se nuk ka shuma të mëdha të parave të ruajtura në bankë. Ai ka shkruar se ka vetëm 550 euro para të gatshme në njërën nga bankat komerciale në Kosovë.

Por daja i kryeministrit Haradinaj ka deklaruar se është në borxh 19 mijë euro. Sipas deklarimit të pasurisë në AKK, Ibrahimaj ka dy kredi, njërën në vlerë 12 mijë euro dhe tjetrën 7 mijë euro.

Lahi Ibrahimaj ka deklaruar të hyra vjetore në vlerë 45,865 mijë euro, nga katër burime të ndryshme. Ai ka deklaruar se ngapensioni i TMK-së, nga zyra për përkujdesje të pjesëtarëve të TMK-së merr 1895 mijë euro.

Kurse nga shitja e grurit ’M.Sillosi’ në Xërxë ai ka marrë 25,926 mijë euro. Përveç kësaj, Ibrahimaj ka thënë se ai po ashtu ka marrë subvencione për bujqësi nga Ministria e Bujqësisë në vlerë 17,392 mijë euro.

Nga pozita aktuale që është duke e mbajtur në Agjencinë e Ushqimit dhe veterinës, Ibrahimaj ka deklaruar pagë 652 euro.