Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj dhe kryetar i Degës së NISMA-s në Pejë, Gezon Berisha Foto: Facebook

Asamblisti i pasur i NISMA-së në Pejë, “i zhytur” në kredi

Asamblisti i Partisë NISMA në Komunën e Pejës, Gezon Berisha, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se është kryetar i Degës së partisë NISMA në Pejë dhe se ka në pronësi kompaninë “Albakos”.

Në regjistrin e Berishës, gjendet një banesë në vlerë prej 55 mijë e 800 eurove, e cila ka sipërfaqen prej 93 metrash katror.

Sipas këtij asamblisti, puna në kompaninë e tij, i ka siguruar edhe një tokë prej 14 ari, e cila kap shumën prej 70 mijë eurove, ndërsa toka tjetër me hapësirë prej 9 ari, kap vlerën e 90 mijë eurove.

Asamblisti tutje ka deklaruar se shtëpia e trashëguar nga prindi, ka vlerën e 350 mijë eurove.

Asamblisti Gezon Berisha Foto: Facebook

Puna në kompaninë “Ndërtimi”, prindit të asamblistit të NISMA-së, i ka siguruar një tokë prej 18 hektarësh, e cila sipas tij, ka vlerën e 500 mijë eurove.

Prindi i tij gjithashtu ka kursyer 300 mijë euro nga dy hektarë të gurëthyesit, mirëpo të përbashkët kanë edhe 350 mijë euro, të cilat janë vlerë e pesë hektarëve të këtij gurëthyesi.

Berisha ka deklaruar se posedon një veturë të tipit BMW, të cilën ia kishte dhuruar prindi, veturë kjo e cila ka vlerën e 25 mijë eurove.

Këshilltari komunal, tutje ka përmendur në AKK edhe dy makineri për gurthyes, të cilat kapin shumën prej 500 mijë eurove së bashku, e që sipas tij, i kanë blerë me kredi dhe kursime familjare.

Gëzon Berisha ka thënë se paga e tij mujore nga kompania “Ndërtimi”, është 300 euro dhe se aktualisht ka dy kredi prej dy mijë e 700 eurove gjithsej.

Sipas tij, në overdraft-kredi gjendet prindi i tij, me shumën prej 95 mijë eurove, ndërsa kredia e përbashkët kap shumën prej 250 mijë eurosh.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së asamblistit Gezon Berisha.