I Dënuari i ‘Badovcit’: Më Njeh Krejt Istogu që Jam Punëtor

Të gjithë avokatët u qëndruan ankesave të tyre të dorëzuara më shkrim, ndërsa vetëm i akuzuari Milazim Haxhiaj pati disa fjalë shtesë për kolegjin e Apelit.

“Edhe pse u bënë gati dy vite burg ende mendoj se kjo është një ëndërr sepse nuk e kuptoj se pa bërë asgjë dënohem me 10 vjet”, tha Haxhiaj.

Ai tha se nuk ka pasur mendim të keq për vendin dhe të gjithë e njohin si “njeri punëtor”.

Haxhiaj kërkoi nga gjykata ta marrë parasysh gjendjen e tij familjare pasi që, nëse vërtetohet dënimi, do të dënohet e gjithë familja.

“Asnjëherë nuk kam pasur mendim të keq apo të lig për vendin tim. I gjithë Istogu më njeh për moral të mirë dhe njeri punëtor. Qysh në moshë të re kam punuar për familjen time, unë kërkoj nga ju që të më merrni parasysh gjendjen time familjare sepse nëse vërtetohet ky dënim jo që do të dënohem vetëm unë por me këtë dënim do të dënohet e tërë familja ime”, tha Haxhiaj.

Për dallim nga avokatët dhe të dënuarit, prokuroria kërkoi që dënimet e shqiptuara të vërtetohen dhe të refuzohen ankesat e tyre.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë pesë të akuzuarit e rastit të njohur si “Badovci” të dyshuar për përgatitje të veprave terroriste.

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

Sipas vendimit të gjykatës, Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit të kaluar kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shtetit Islam” në Republikën e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me rastin “Badovci”, ndërsa raportimet lidhur me këtë rasti mund t’i gjeni në këtë link.

Edhe emisioni “Drejtësia në Kosovë”, i kishte kushtuar një emision këtij rasti.

http://kallxo.com/drejtesia-ne-kosove-rojtari-liqenit-te-badovcit-qe-zbuloi-adhuruesit-e-isis/