Foto: KALLXO.com

Të akuzuarit për terrorizëm ndihen të pafajshëm, Gjykata nuk i liron nga paraburgimi

Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi dhe Mentor Bellaqa janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat për kryerje të veprave penale që kanë lidhje me terrorizëm dhe ndihmë në përgatitje të veprës terroriste kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Shkodran Krasniqi, por ndaj tij është veçuar procedura. Kryesuesja e trupit gjykues, Valbonë Selimaj, njoftoi se Krasniqi e ka pranuar fajësinë dhe ndaj tij ka aktgjykim të formës së prerë.

Të akuzuarit Ardijan Gjuraj dhe Nehrudin Skenderi në seancën e sotme deklaruan se nuk e ndjejnë veten fajtorë për asnjë pikë të aktakuzës, kurse i pandehuri Ergim Syla e pranoi fajësinë për pikën 1 të aktakuzës.

Avokati i këtij të fundit, Haxhi Millaku, kërkoi nga trupi gjykues ta aprovojë këtë pranim të fajësisë, por trupi gjykues i përbërë nga Valbona Selimaj kryetare, Musa Konxheli dhe Valon Kurtaj anëtarë, vlerësoi se ky pranim i fajësisë nuk mund të bëhet për shkak që kjo pikë e aktakuzës ndërlidhet për veprën penale në bashkëkryerje me Ardijan Gjurajn.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Afrim Shefkiu, në fjalën hyrëse deklaroi se do të vërtetohet se nga të gjitha raportet e përfshira në raportin policor, ku përfshihen edhe gjetjet e masave të fshehta, do të vërtetohet fajësia e të pandehurve.

Tutje, avokati i të pandehurit Nehrudin Skenderi, Tomë Gashi, në fjalën e tij deklaroi se në një gjykim të drejtë dhe të ligjshëm është e pamundur të vërtetohet fajësia e klientit të tij, për shkak të, sipas tij, mungesës së provave.

Ai shtoi se shuma e parave e gjetur në shtëpinë e klientit të tij janë në pronësi të prindërve të tij, të cilët ai tha se do të thirren si dëshmitarë në procedurë.

“Do të tentojmë gjatë gjykimit, do ta vërtetojmë se klienti im është viktimë e Shkodran Krasniqit, për të cilin unë nuk kam pa ndonjë vendim që ka qenë dëshmitar bashkëpunues” – u shpreh ai gjatë fjalës hyrëse.

Kurse avokatja mbrojtëse e të pandehurit Mentor Bellaqa, Vjosa Ismajli, theksoi se përshkrimet që ka ofruar Prokuroria në aktakuzë janë vetëm supozime dhe se ato nuk mund të vërtetohen në prova, dhe armët që i janë gjetur janë të babait të tij që nga paslufta.

“Është me rëndësi të ceket fakti se armët e tilla të gjetura kanë qenë të babait të tij që nga paslufta në Kosovë dhe nuk kanë të bëjnë me veprën penale” – tha avokatja Ismajli në fjalën e saj hyrëse.

Avokati i të akuzuarit Ardijan Gjuraj, Arben Kelmendi, tha se do të vërtetohet pafajësia e klientit të tij dhe se aktakuza ndaj tij është ngritur në bazë të deklaratave të bashkëpandehurve të tjerë në këtë çështje, që sipas tij këtë rrethanë e sqaron më së miri dispozita e nenit 123, par. 5 i Kodit të Procedurës Penale.

Në fund të seancës, avokati Haxhi Millaku propozoi ndërrimin e masës për klientin e tij që nga paraburgimi të caktohet masa e arrestit shtëpiak ose ajo e dorëzanisë.
Këtij propozimi për ndërrim të masës së paraburgimit, iu bashkëngjitën edhe avokatët e tjerë mbrojtës, propozim i cili u refuzua nga trupi gjykues me aktvendim.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 28 korrik të këtij viti.

Sipas aktakuzës 45-faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, në periudhën kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS dhe janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG (raketa hedhës), eksploziv dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardijan Gjurajn akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve, të cilat i kishin fshehur në një fuçi prej plastike, duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike “AK-47” e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë kontrollimit të Policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga llojet më të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t’i pranuar-blerë  një RPG, 8 predha të mortajës së dorës, një pajisje optike për zmadhim (dylbi) të RPG-së,  e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, në përcjellje të të cilit ishin edhe Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarës, e më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardijan Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar  akuzohet edhe Mentor Bellaqa.

Kurse Ardijan Gjuraj akuzohet se ka kryer veprën penale moslajmërim i përgatitjes së veprës penale ashtu që nga tetori i vitit 2020 e deri më 2.11.2022  ka qenë në dijeni se i pandehuri (tashmë i ndjeri K.F.) ishte duke përgatitur vepra penale terroriste dhe kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me tashmë të ndjerin përmes rrjetit social “Instagram”.

Më  2.11.2022 i ndjeri kishte kryer aktin terrorist në Vjenë duke lënë të vrarë katër persona e duke plagosur katër të tjerë, e më pas ishte vrarë nga autoritetet austriake.

I akuzuari Nehrudin Skenderi akuzohet se kishte financuar Shkodran Krasniqin në shumën prej 2 mijë euro me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit me të cilat do të kryheshin veprat penale terroriste.

Kështu vetëm Nehrudin Skenderi akuzohet për veprën penale – lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizimit.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë  – LINK.