Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dënohet kosovarja që përgatiste ushqim dhe lante rroba në ISIS

E akuzuara për organizim dhe pjesëmarrje në grupet terroriste, me inicialet D.D., u shpall fajtore dhe u dënua me 2 vjet burgim me kusht nga gjykata në Prishtinë.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e akuzuara më 29 tetor 2014 me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri ka përfunduar në qytetin Sedel Faruk në Siri.

Më tutje aktakuza shpjegon se e njëjta është pritur nga bashkëshorti i tij B.S., luftëtar i ISIS-it nga Shkupi, nga i cili ajo është trajnuar për përdorimin e armës automatike.

Sipas prokurorisë, ajo  është angazhuar në pikëpamje logjistike, në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave luftarake dhe e njëjta është financuar nga ISIS-i për shumën e te hollave prej 100-150 dollarë në muaj si dhe me pako ushqimore.

Aktakuza përshkruan se edhe pas vdekjes  së bashkëshortit të saj dhe pas martesës me personin D.S., po ashtu pjesëtar i ISIS-it, ajo ka qëndruar dhe ka vepruar edhe më tutje në zonat e konfliktit në Siri.

Aktakuza shpjegon se e akuzuara në muajin dhjetor të vitit 2018, përgjatë kufirit me Turqinë është arrestuar nga forcat demokratike siriane dhe me datë 19 prill 2019 është riatdhesuar në Kosovë.

Dënimi me kusht të akuzuarës D.D nuk do t`i ekzekutohet nëse brenda periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër penale. Në të kundërtën, ndaj të akuzuarës D.D, ky dënim do t’i zëvendësohet me burgim efektiv.

Gjyqtari Musa Konxheli e udhëzoi të akuzuarën për vizitë te psikologu ose te këshilluesit e tjerë, sipas nevojës lidhur me gjendjen psikike dhe emocionale të së njëjtës, e po ashtu edhe për të drejtën në ankesë kundër këtij vendimi.

E akuzuara D.D në seancën e shqyrtimit fillestar më datë 8.6.2020 e kishte pranuar fajësinë, për veprën penale më të cilën ngarkohej.

Pranon fajësinë e akuzuara se kishte punuar për ISIS-in