Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Hetuesi i Departamenti Kundër Terrorizmit dëshmon në gjyqin kundër 4 të akuzuarve për terrorizëm

Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi dhe Mentor Bellaqa janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat për vepra penale që kanë të bëjnë me terrorizëm.

Në seancën e së premtes në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan dy prindërit e të akuzuarit Nehrudin Skenderi dhe shefi i hetimeve në Departamentin Kundër Terrorizmit.

Dëgjimi i tyre u bë pas kërkesës së avokatit Tomë Gashi, i cili në këtë procedurë është mbrojtës i të akuzuarit Nehrudin Skenderi.

Dëshmia e A.S. dhe N.S. ishte në tërësi lidhur me një shumë të parave që pretendohet se është gjetur dhe konfiskuar me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Skenderi.

A.S., e ëma e të akuzuarit të lartcekur, ka deklaruar se paratë në fjalë kanë qenë të saj dhe që i kishte trashëguar nga i ati i saj si dhuratë.

Mirëpo, në fund të dëshmisë së saj, prokurori Afrim Shefkiu ka deklaruar se ka vërejtje në dëshmi pasi që, sipas tij, dëshmitarja nuk është e sinqertë në dëshminë e saj.

Gjithashtu, edhe i ati i të akuzuarit Nehrudin Skenderi ka deklaruar se një pjesë e parave të konfiskuara janë të trashëguara kurse pjesa tjetër janë të fituara gjatë njëzet e pesë viteve punë në shtetin e Kuvajtit.

Tutje në sallë u ftua të dëshmojë dëshmitari i propozuar nga Prokuroria, Nexhdet Haxhaj, i cili mban pozitën e shefit të hetimeve në Departamentin Kundër Terrorizmit.

Hetuesi Haxhaj deklaroi se dyshimet mbi të akuzuarit janë ngritur pasi që Departamenti kundër terrorizmit ka marrë informacion nga një prej partnerëve të tyre strategjik – nga State Departament i SHBA-së, përkatësisht FBI.

“Ky rast ka filluar pas pranimit të informacionit dhe raporteve nga partnerët tanë strategjikë se personat Abu Salih al Kosova – Ardian Gjuraj dhe Alhur al Ballkani – Nuhredin Skenderi, janë duke udhëhequr një grup me persona që kanë lidhje të ngushta me komandën e ISIS, më konkretisht Abu Talha al Muhaxhiri“ – u shpreh dëshmitari.

Tutje i njëjti dha sqarime se si kapja e të akuzuarve ishte bërë përmes simulimit të veprës penale.

‘‘Përmes partnerëve strategjikë kemi kuptu që këta janë të interesuar të blejnë armë për të bërë një sulm terrorist, më saktësisht një RPG ose mortajë dore. Ne kemi raportu prokurorin, është bërë kërkesa për urdhëresë për stimulim të rastit, është marrë urdhëresa dhe kemi vepru… Shkëmbimi ka ndodhë, është dhënë malli, janë dhënë paratë dhe ka ndodhur arrestimi” – sqaroi dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij pyetje i parashtroi edhe avokati Haxhi Millaku, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Ergim Syla.

Në njërën prej shumë pyetjeve të Millakut, dëshmitari dha sqarimin se Ergim Syla nuk ka qenë pjesë e simulimit dhe se ky ishte arrestuar në Prishtinë.

Hetuesi rrëfeu se si Ergim Syla i kishte treguar për armët që ndodheshin në afërsi të shtëpisë së tij.

“Ergimi gjatë intervistës tregon se afër shtëpisë së tij është një bure me armë, menjëherë e njoftoj prokurorin dhe ne vazhdojmë për vendngjarje ku është burja me të gjitha njësitë që janë dashur. Kemi shku në vendngjarje me Ergimin dhe kur kemi shku ka thënë se janë dy vende dhe saktësisht e ka ditë me milimetra ku janë buret me armë. E kemi pritë që EODI që merret me deminimin e mjeteve të rrezikshme shpërthyese. Aty kemi gjetë shumë armatim” – tha dëshmitari lidhur me këtë.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen më 14 dhe 15 shtator, ku do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarëve nga Departamenti Kundër Terrorizmit.

Sipas aktakuzës 45-faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, në periudhën kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS dhe janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG (raketa hedhës), eksploziv dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardijan Gjurajn akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve, të cilat i kishin fshehur në një fuçi prej plastike, duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike “AK-47” e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë kontrollimit të Policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga llojet më të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t’i pranuar-blerë  një RPG, 8 predha të mortajës së dorës, një pajisje optike për zmadhim (dylbi) të RPG-së,  e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, në përcjellje të të cilit ishin edhe Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarës, e më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardijan Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar  akuzohet edhe Mentor Bellaqa.

Kurse Ardijan Gjuraj akuzohet se ka kryer veprën penale moslajmërim i përgatitjes së veprës penale ashtu që nga tetori i vitit 2020 e deri më 2.11.2022  ka qenë në dijeni se i pandehuri (tashmë i ndjeri K.F.) ishte duke përgatitur vepra penale terroriste dhe kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me tashmë të ndjerin përmes rrjetit social “Instagram”.

Më  2.11.2022 i ndjeri kishte kryer aktin terrorist në Vjenë duke lënë të vrarë katër persona e duke plagosur katër të tjerë, e më pas ishte vrarë nga autoritetet austriake.

I akuzuari Nehrudin Skenderi akuzohet se kishte financuar Shkodran Krasniqin në shumën prej 2 mijë euro me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit me të cilat do të kryheshin veprat penale terroriste.

Kështu vetëm Nehrudin Skenderi akuzohet për veprën penale – lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizimit.