Kosovarja pranon se bashkë me burrin shkoi në ISIS

Gjykata e Prishtinës ka mbajtur sot gjykimin ndaj të akuzuarës Jehona Xhemshiti për shkak të veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Habibe Salihu, e akuzuara Jehona Xhemshiti u deklarua fajtore për veprën penale për të cilën ngarkohet.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e pandehura më 27 dhjetor 2014, me dashje me vetëdije të plotë ka lëshuar vendbanimin e përhershëm të saj në Kosovës dhe së bashku me bashkëshortin Shemsi Hyseni, me automjetin ku kanë qenë edhe tre persona të tjerë, kanë kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pastaj nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan kanë shkuar për në Stamboll dhe përmes Republikës së Turqisë, duke udhëtuar me autobus deri në qytetin Gaziantep.

Me tutje aktakuza, tregon se e akuzuara pastaj me veturë ka hyrë në Siri, nga i cili shtet edhe janë financuar rregullisht, pra me dashje dhe me qëllim i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, e cila organizatë ishte duke vepruar në shtetet Siri dhe Irak dhe atë duke shkaktuar akte dhune nga maltretimet më të skajshme e gjerë te vrasjet e civilëve të pafajshëm, organizatë kjo që nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste

Më këtë prokuroria po e ngarkon të akuzuarën Jehona Xhemshti se ka kryer veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më 12 qershor.