Si ranë pre e masës së simulimit të akuzuarit për vepra që kanë lidhje me terrorizëm?

Seanca ndaj katër të akuzuarve për vepra penale që kanë lidhje me terrorizëm, Ardijan Gjuraj, Ergim Syla, Nehrudin Skenderi dhe Mentor Bellaqa, ka vazhduar me dëgjimin e tre dëshmitarëve.

Në këtë rast versionet e tyre lidhur më çështjen në fjalë i paraqitën në Gjykatën e Prishtinës hetues pranë Departamentit kundër terrorizmit, Hamdi Vllasaliu, Hafir Xhyliqi dhe Jeton Jetullahu.

Të njëjtit treguan momentet kur ishin implementuar masat e fshehta, duke përfshirë ato të vëzhgimit dhe masën e simulimit.

Xhyliqi tregoi se në pozitën e hetuesit pranë Departamentit kundër terrorizmit më 7 tetor të vitit 2021 ishte caktuar për zbatimin e masës së fshehtë – blerja e simuluar, gjë për të cilën edhe kishte përpiluar raport.

Tutje dëshmitari  para Gjykatës tregoi se si ishte organizuar shkëmbimi i një raketa-hedhësi në këmbim të parave, e krejt kjo nën zbatimin e masave të fshehta, për njërin nga të akuzuarit e përshirë në këtë rast.

“Kemi biseduar me një person që unë nuk ia kam ditë emrin, e kemi lënë me u taku në Gjakovë në Qendrën Tregtare dhe nga ai kemi pranuar një shumë të hollave prej 500 euro si parapagim për blerjen e një RPG, i kemi pranuar mjetet 500 euro dhe kemi kuptuar që i dyshuari është Shkodran Krasniqi dhe ka mbetur që pjesa tjetër të jepet pasi të jepet RPG-ja”- tha Xhyliqi.

Tutje dëshmitari tregoi vendin dhe mënyrën se si ishin takuar për të bërë shkëmbimin e armës së lartpërmendur.

“Ne jemi nisë nga Drejtoria kundër terrorizmit me dy automjete që i kemi marrë me qira për me kry masën e simulimit, në njërën veturë ka qenë RPG-ja që kishte për ta blerë i dyshuari Shkodran, veturën e RPG-së nuk e di kush e ka vozitur…, jemi taku me Shkodran Krasniqin te rrethi në Gjakovë”- tha dëshmitari.

Xhyliqi rrëfeu tutje se si ishin përfshirë edhe të akuzuarit e tjerë në këtë në aksionin simulimi të Departamentit kundër terrorizmit.

“Në dalje të Gjakovës, është ndalë vetura e tij që ka qenë ‘Passat’ i bardhë, nga vetura ka dalë vetëm Shkodrani, në veturë ka qenë vetëm ai, unë jam dalë edhe m’ka thanë a janë larg prej këtu (më ka pyetur për armë), unë kam qenë vet në veturë ndërsa kolegu im ka qenë në vendin ku do bëhej simulimi. Masi kemi biseduar, kur e ka marrë vesh se unë i kam thanë që janë 10-15 km prej këtu…, Nuredin Skenderi edhe Mentor Bellaqa, dy personat që i ka përmend ai, e kemi vazhduar rrugën…”- tha dëshmitari.

Në këtë rast versionin si hetues e dha edhe Hamdi Vllasaliu, i cili para Gjykatës tregoi se nuk e njihte të akuzuarin Gjuraj më parë, por vetëm në momentin kur Gjykata kishte vendosur masën e paraburgimit për të njëjtin.

“Takimi jemi i parë me Ardian Gjurën ka qenë ditën e shoqërimit të tij nga Gjykata në paraburgim”- tha dëshmitari.

I njëjti tha se kishte një bashkëbisedim në qendrën e paraburgimit më tashmë të akuzuarin, pasi që ky i fundit kishte bërë një kërkesë me email që të zhvillohej ky bashkëbisedim, e i cili ishte zhvilluar me autorizim paraprak.

“Unë kam marrë autorizim për takim dhe bashkëbisedim”- tha Vllasaliu.

Për këtë rast në cilësi të dëshmitarit u dëgjua edhe Jeton Jetullahu.

Gjykimi për këtë rast filloi rishtazi pasi që kishte ndryshim në përbërjen e trupit gjykues kështu që në vend të gjyqtarit Musa Konxheli, i pranishëm ishte Mentor Bajraktari si anëtar ndërsa gjykimi udhëhiqej nga gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas aktakuzës 45-faqëshe të Prokurorisë Speciale, të akuzuarit kishin bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, në periudhën kohore mars 2021 deri më 10 tetor të vitit 2021.

Të njëjtit kishin kontaktuar një person me gradë të lartë në organizatën terroriste ISIS dhe janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojit RPG (raketa hedhës), eksploziv dhe armë të zjarrit.

Ergim Syla së bashku me Ardijan Gjurajn akuzohen se ishin përkujdesur për sigurimin e armëve, të cilat i kishin fshehur në një fuçi prej plastike, duke i groposur 3,780 fishekë, 6 granata dore, 7 detonatorë të granatës, mitraloz me tri këmbë, një pushkë automatike “AK-47” e armë të tjera të kalibrave të ndryshëm.

Gjatë kontrollimit të Policisë edhe në shtëpinë e Mentor Bellaqës ishte gjetur një arsenal armësh nga llojet më të ndryshme.

Në po të njëjtën ditë, më 10.10.2021 në komunën e Gjakovës, gjatë tentimit për t’i pranuar-blerë  një RPG, 8 predha të mortajës së dorës, një pajisje optike për zmadhim (dylbi) të RPG-së,  e me rastin e implementimit të masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit e blerjes së simuluar prej të pandehurit Shkodran Krasniqi, në përcjellje të të cilit ishin edhe Nehrudin Skenderi e Mentor Bellaqa me automjetin e markës Golf V kanë ikur nga vend i ngjarës, e më pas të gjithë të pandehurit arrestohen.

Tutje të pandehurit Ergim Syla dhe Ardijan Gjuraj për veprat e lartcekura akuzohen edhe për mbajtje e kontroll të paautorizuar të armëve.

Për mbajtje të paautorizuar  akuzohet edhe Mentor Bellaqa.

Kurse Ardijan Gjuraj akuzohet se ka kryer veprën penale moslajmërim i përgatitjes së veprës penale ashtu që nga tetori i vitit 2020 e deri më 2.11.2022  ka qenë në dijeni se i pandehuri (tashmë i ndjeri K.F.) ishte duke përgatitur vepra penale terroriste dhe kishte qenë në komunikim të vazhdueshëm me tashmë të ndjerin përmes rrjetit social “Instagram”.

Më  2.11.2022 i ndjeri kishte kryer aktin terrorist në Vjenë duke lënë të vrarë katër persona e duke plagosur katër të tjerë, e më pas ishte vrarë nga autoritetet austriake.

I akuzuari Nehrudin Skenderi akuzohet se kishte financuar Shkodran Krasniqin në shumën prej 2 mijë euro me qëllim të blerjes së armëve të zjarrit me të cilat do të kryheshin veprat penale terroriste.

Kështu vetëm Nehrudin Skenderi akuzohet për veprën penale – lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizimit.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë  – LINK.