Greg Delawie, Ambasador i SHBA-ve në Kosovë. Foto: Kallxo.com

Delawie: Deputetët që e Mbështesin Shfuqizimin e Speciales do të Përballen me Pasoja

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha sot se Kosova duhet t’i marrë mbi vete përgjegjësitë për ta mbyllur një kapitull për të cilin është ngarkuar ta bëjë Gjykata Speciale.

Në një deklaratë për media, si paralajmërim i fundit për nismën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, diplomati amerikan tha se nëse kjo iniciativë shkon deri në fund, atëherë kjo “do ta kthente Kosovën mbrapa”.

Deklarata e Delawie u bë një orë para se kryesia e Kuvendit të Kosovës të mblidhet për ta shqyrtuar kërkesën e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme, të bërë më 22 dhjetor.

“Neve na intereson Gjykata Speciale sepse duam ta shohim Kosovën t’i bashkohet NATO-s dhe BE-së. Nëse doni t’i bashkoheni grupit duhet t’i ndiqni rregullat e grupit. Shfuqizimi i Speciales do ta kthente Kosovën mbrapa”, tha Delawie.

Ai tha se drejtësia e Kosovës ende nuk është e përgatitur për t’i trajtuar dyshimet për krimet e kryera, për të cilat është themeluar kjo gjykatë në gusht të vitit 2015, me anë të një ligji të miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Kosova duhet ta mbyllë këtë kapitull në historinë e vet edhe nëse do të thotë se duhet t’i marrim nën përgjegjësi disa ish-ushtarë. Mund të thoni pse mos ta bëjë drejtësia këtu. Ne kemi investuar në drejtësinë ë Kosovës por nuk ka treguar ende kapacitete për të marrë këtë përgjegjësi”, shtoi ai.

Delawie tha se përkushtimi i Kosovës për të vënë drejtësi është vënë “nën kërcënim serioz” me iniciativën e 43 deputetëve, dy nga të cilët kanë tërhequr firmat në ndërkohë.

“Kjo paraqet një rast të tmerrshëm ku interesat personale janë mbi ato shtetërore. Deputetet që e mbështetin këtë nismë do të përballen me pasoja dhe ata e dinë këtë sepse ne ua kemi thënë këtë”, tha Delawie.