Shkolla fillore "Ibrahim Rugova", në Obiliq, Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Obiliq, pretendime se mësimdhënësi ushtroi dhunë fizike ndaj nxënësve të një klase

“Djali më ka tregu se i ka rreh arsimtari nxënësit, me arsyetim se s’kanë pasë detyra, i ka radhitë te dërrasa e zezë të gjithë, mes tjerash i ka pyet: A po doni me zgjedhë shuplaka apo vizore? Dhe i ka rreh të gjithë me vizore ren”.

Kështu ka deklaruar Xhafer Haziri, i cili pretendon se mësimdhënësi i lëndës Kulturë gjuhe dhe shkathtësitë e komunikimit, Naser Dragusha, ka ushtruar dhunë fizike ndaj fëmijës së tij dhe nxënësve të tjerë të klasës në shkollën fillore “Ibrahim Rugova” në Obiliq.

Sipas Hazirit, ngjarja ka ndodhur më 14.02.2024, ndërsa fëmija nga ajo kohë nuk është duke vijuar mësimin.

Rasti është denoncuar në Polici, e këta të fundit e kanë konfirmuar për KALLXO.com se janë duke e trajtuar rastin në bashkëpunim me Prokurorinë.

Në anën tjetër, mësimdhënësi Dragusha e ka mohuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve dhe nga drejtoria e shkollës janë deklaruar se e kanë njoftuar Dragushën të mos japë më mësim në atë klasë.

Nga Këshilli i Prindërve të klasës nuk mendojnë se Dragusha ka ushtruar dhunë, kurse Drejtoria e Arsimit në Obiliq e ka quajtur “sjellje jopedagogjike” dhunën që pretendohet se ka ndodhur nga mësimdhënësi.

Haziri në një intervistë për KALLXO.com ka pretenduar se dhuna e ushtruar nga mësimdhënësi ishte zhvilluar gjatë orës së mësimit.

Sipas Hazirit, me arsyetimin se nuk i kanë kryer detyrat, mësimdhënësi i kishte radhitur nxënësit te tabela e klasës dhe më pas i kishte goditur me vizore në duar.

Mirëpo, Haziri tha se nuk ka qenë në kontakt me drejtorinë e shkollës pas kësaj ngjarjeje.

“Me drejtori (të shkollës) nuk kam kontaktu, në asnjë mënyrë, pasi që kur e kreva intervistën në Polici, zyrtari policor më tha: Tani ne e kemi gjendjen në dorë, lëndën në dorë, kështu që të kishim këshillu që mos me pasë kontakt me askënd prej shkollës, as në telefon, as me shku me bisedu me ta” – ka deklaruar Haziri.

Haziri nuk posedon një raport mjekësor rreth gjendjes shëndetësore të djalit të tij, pasi ka konsideruar se në kohën kur e ka kuptuar dhe më pas raportuar në Polici ora ka qenë rreth 16:00, e ngjarja kishte ndodhur rreth orës 12:00.

Për gjendjen shëndetësore të djalit të tij, Haziri ka njoftuar se pas vizitës nga psikologu e kanë informuar se djali ka pasur stres kur ka pasur mësim me këtë mësimdhënës.

“Në bisedë me zyrtarë të Mirëqenies Sociale dhe një psikologu që ka qenë prezent, ka thanë që sa herë fëmija ka pasë orë me atë arsimtar, tanë natën nuk e ka marrë gjumi prej stresit, se e ka ditë se kur shkon në shkollë ai ka me rreh” – ka treguar Haziri.

Mësimdhënësi Dragusha e ka quajtur “gënjeshtër të sajuar” pretendimin e prindit për dhunë.

“Çdo gjë është gënjeshtër e sajume prej tij (prindit). Janë nxënësit, është kujdestari, janë të gjitha këto, është drejtoria, të gjithë të tjerët që e vërtetojnë atë, po më së miri e vërtetojnë nxënësit, ata që kanë qenë prezentë në klasë” – ka thënë Dragusha për KALLXO.com.

Mirëpo, drejtoresha e shkollës, Shyhrete Gashi, tha se pas ngjarjes i ka pyetur nxënësit se a i kishte rrahur mësimdhënësi dhe se shumica e kishin pohuar.

“Po, kam shku, i kam pyet të gjithë nxënësit, i kam thanë: Nxënës, arsimtari Naser a ju ka rreh? – Ia kanë nisë ata me thanë: Po, për detyra… Po unë kam me bisedu me prindërit e juaj, një mbledhje urgjente edhe të shohim a iu keni tregu ju prindërve” – ka theksuar Gashi.

Pasi ishte mbajtur një mbledhje e Këshillit të Prindërve të klasës në fjalë, në të cilën Haziri ka deklaruar se nuk ka qenë prezent, sipas përfaqësueses së këtij Këshilli, Nadire Sallova, ajo e kishte pyetur personalisht fëmijën e saj se a kishte ushtruar dhunë mësimdhënësi.

“E pyeta edhe djalin qysh u kanë rasti edhe kështu, tha: Jo mam, nuk kemi pasë kurrgjë” – ka thënë Sallova.

Dragusha në lidhje me atë që nxënësit i kishin pohuar drejtoreshës se ai kishte ushtruar dhunë ndaj tyre, ka thënë se është e pavërtetë.

“Me vizore? Jo, s’është e vërtetë as ajo, unë s’di kush i ka thanë drejtoreshës ashtu” – tha Dragusha.

Tutje, ai e ka pranuar se një pjesë e nxënësve nuk i kishin bërë detyrat dhe për këtë i ka renditur te tabela e klasës.

“Nxënësit një pjesë e tyre, nuk i kanë bërë detyrat. I kam qitë te tabela edhe secilin e kam ftu me pa raportin e vet, pasqyrën e vet të detyrave edhe aty i kam këshillu secilin me radhë, dhunë s’ka pasë, fjalë ka pasë, këshilla ka pasë, tash zëri ndoshta u ngrit më lart te ndonjëri, diçka tjetër s’ka pasë” – ka shtuar Dragusha.

E drejtoresha e shkollës deklaroi se pasi e ka proceduar rastin e mësimdhënësit në Drejtori të Arsimit, i ka propozuar komisionit disiplinor të kësaj Drejtorie që mësimdhënësi të mos japë më mësim në klasën ku pretendohet se është ushtruar dhunë.

Për këtë, Gashi ka bërë të ditur se e ka njoftuar personalisht Dragushën që të mos japë mësim në atë klasë.

Kur është pyetur nga KALLXO.com, Dragusha ka thënë se nuk është njoftuar nga drejtoresha dhe se është duke vazhduar të japë mësim në të.

Ndërkohë, prindi Xhafer Haziri ka përmendur se komunikimet që i ka pranuar nga shkolla, ka qenë një takim që drejtoresha e shkollës e ka ftuar së bashku me nxënësin, por që nuk i ka kthyer përgjigje.

Sipas Hazirit, nga shkolla kanë insistuar që ai ta tërheqë padinë ndaj mësimdhënësit.

Kurse, Dragusha tha se është në dijeni për denoncimin e bërë nga prindi ndaj tij dhe se personalisht nuk është takuar me të asnjëherë.

Si përfundim, Haziri ka theksuar se nxënësi do të vazhdojë të qëndrojë në shtëpi, pasi është kërkesë e tij të mos shkojë në shkollë derisa Dragusha është mësimdhënës aty.

“Djali ka me vazhdu me nejtë në shpi, jo për insistimin tim, por ai vetë si pikë e parë thotë se unë jam mërzitë me shku në shkollë, m’u taku me shokë të mi, por nuk du me shku në shkollë derisa ai mësimdhënës është aty” – është shprehur Haziri.

Po ashtu, Haziri ka shpjeguar se nxënësi është me terapi mjekësore pasi që vuan nga pagjumësia dhe për këtë arsye në të kaluarën ka munguar në shkollë.

Por, drejtoria e shkollës e ka mohuar se ka qenë në dijeni për gjendjen shëndetësore të nxënësit dhe sipas tyre, prindi nuk është treguar bashkëpunues.

Rexhep Zeka, shef i arsimit në DKA Obiliq ka thënë se ia kanë ndërruar klasën mësimdhënësit, pavarësisht se Dragusha është deklaruar se vazhdon të japë mësim.

“Shkolla e ka marrë që i ka shqiptu vërejtjen me shkrim edhe në hap të parë që mësimdhënësi mos të japë mësim më në atë klasë, po e kemi ndërru klasën edhe tash po presim procedura të mëtutjeshme” – ka thënë Zeka për KALLXO.com.

Në lidhje me qëndrimin e nxënësit në shtëpi, Zeka është deklaruar se do ta kontaktojnë prindin që fëmija të kthehet në shkollë sa më parë.

“Unë e kam shumë të qartë që shkolla ka mbajtë takim me organet e klasës edhe janë në kontakt me prindin. Në asnjë mënyrë fëmija nuk do të mbetet jashtë procesit mësimor, mirëpo unë po shpresoj që edhe do të merren masa patjetër në baza ligjore për veprime jopedagogjike siç është veprimi në fjalë, po edhe do të kontaktojna me prindin në mënyrë që fëmija t’i kthehet procesit mësimor gjithsesi” – ka deklaruar Zeka.

Ndërsa, Policia ka thënë se më 15.02.2024 kanë pranuar raportimin në lidhje me këtë ngjarje.

“Jemi në fazën e grumbullimit të të dhënave, aktualisht kjo informatë po trajtohet në koordinim me Prokurorinë. Për cilësimin e veprës dhe detaje rreth ngjarjes do të njoftoheni me kohë” – janë përgjigjur nga Policia.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com e ka pyetur edhe Inspektoratin e Arsimit në lidhje me këtë rast, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.