Fakulteti Filozofik. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Këshilli i Etikës vendos për plagjiaturën e Dugollit dhe Kastratit, Dugolli e quan fushatë të ORCA-s

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), sot gjatë ditës mbajti një konferencë për media duke njoftuar se Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë një vendim sa i përket denoncimit të tyre për plagjiaturë për profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

ORCA tha se më 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore.

“Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre”, thuhet në reagimin e tyre.

Në vendimet e Këshillit të Etikës thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite si dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike.

Por, ORCA nuk pajtohet me masën ndëshkuese që Këshilli Etikës ka vendosur ndaj dy profesorëve.

“Kjo masë ndëshkuese është skandaloze dhe e papranueshme dhe e palogjikshme, e para sepse Këshilli i Etikës përmes kësaj mase e ka legjitimuar plagjiaturën, kjo masë i bën thirrje indirekte profesorëve për të plagjiuar ngase pyetja shtrohet cilit prej profesorëve të universitetit i bëhet vonë nëse nuk mentoron tema të diplomës për dy a tre vite, kur ai/ajo tashmë është rahatuar në pozitën e profesorit/es edhe përmes shkeljeve që ka kryer”, tha më tej ORCA.

KALLXO.com ka kontaktuar me profesorët e përmendur, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.

Dugolli tha për KALLXO.com se kjo është ‘fushatë e orkestruar e ORCA-s’.

“Qe një vit, Organizata ‘’ORCA’’, e inicuar, siç thotë ajo nga një e-mail anonim, po vazhdon fushatën e orkestruar, mbase të mbështetur edhe nga struktura të tjera, për të më penguar mua në zhvillimin akademik dhe profesional dhe për t’i realizuar interesat e tyre me qëllim të kapjes së Universitetit, për të ndalur mendimin ndryshe, në organet vendimmarrëse të UP-së dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre biznesore”, tha ai.

Dugolli kundërshtoi vendimin e Këshillit të Etikës duke thënë se do të ndjekë procedurat e ankimimit.

“Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontrollë UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit, duke shmangur fokusin nga zhvillimet e dëmshme për universitetin, nga aspekti menaxherial, deri të keqpërdorimet e rënda të detyrës dhe buxhetit të UP-së”, tha Dugolli.

Sipas Dugollit, Këshilli i Etikës, me atë vendim, pa marrë në konsideratë shkresat e tij dhe provat e ofruara nga platforma tjetër e detektimit të plagjiaturës dhe pa marrë në konsideratë asnjë mendim profesional, “vjen në përfundime të cilat i kënaqin egot e denoncuesve dhe mbështetësve të kësaj kampanje të orkestruar”.

Për Dugollin, ky vendim është i pa pranueshëm dhe joprofesional.

“Unë do t’i ndjekë të gjitha proceduat e apelimit, ndërsa e konfirmoj se nuk do të ndalem në promovimin dhe mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës, siç e kam bërë gjithmonë, tash e 26 vite”, tha Dugolli më tej.

KALLXO.com është duke pritur përgjigje edhe nga profesori Ardian Kastrati.