Molliqaj: Policia e Kosovës, e kriminalizuar

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj duke folur për krimin e organizuar dhe korrupsionin në debatin e iniciuar në Kuvendin e Kosovës nga deputetja Shqipe Pantina, tha se segment problematik në Kosovë e që duhet më shumë punë për t’u bërë është Policia dhe Prokuroria.

“Policia jonë është shumë e kriminalizuar, si në raportin e progresit apo raportet e tjera thuhet se Kosova mbetet një nga vendet tranzit për trafikim me qenie njerëzore dhe narkotikë. E dimë që nuk mundet me u bo kjo pa pasë gisht edhe Policia. Ligjet janë të domosdoshme për luftim të korrupsioni por pa vullnet politik nuk bëhet kjo”, ka thënë Molliqaj.

Deputeti Molliqaj tha që fenomeni i korrupsionit nuk mundet me u diskutu si një fatkeqësi natyrore e as që është në gjenet e këtij populli.

“Por kjo është te politika që është ndjekur që nga misionet ndërkombëtare, politika e cila është neoliberale, shpronësuese. Më së shumti korrupsion kemi pasur në procesin e privatizimit, kjo nuk ka ndodhur vetëm në Kosovë, por edhe në disa vende që janë anëtarësuar tashmë në BE. Në vend se Kosova mos ta përcjellë këtë politikë ajo e ka zgjedhur atë”, ka theksuar Molliqaj.

Ai më tej shtoi se një segment tjetër ku Kosova ka problem janë gjyqtarët.

“Vetingu nuk është masa kryesore por varet se çfarë lloji të vetingut bën. Ai që ka qenë në vitin 2010 nuk ka sjellë rezultat. Pjesa e dytë te gjyqtarët është pasuria e pajustifikueshme. Në vendet ku është bërë vetingu për justifikimin e pasurisë shumë gjyqtarë e kanë humbur vendin e punës, mendoj që kjo duhet bërë”, ka përfunduar Molliqaj.

KALLXO.com transmetoi LIVE debatin parlamentar: