Protesta e PSD-së, lirohet Dardan Molliqaj dhe anëtarët tjerë

Gjashtë anëtarë të Partisë Social Demokrate, duke përfshirë edhe kryetarin e saj, Dardan Molliqaj, u arrestuan të mërkurën pasi protestuan kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe një takimi të saj në një hotel në Prishtinë me shoqërinë civile.

Kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj ka njoftuar se ai dhe anëtarët e partisë së tij sapo janë liruar.

Sipas Molliqajt, ata u vendosën “padrejtësisht në mbajtje dhe nagrokohen për gjëra të paqena”, teksa shtoi se qëllimi ishte që “të izoloheshim për sa kohë që znj. Trendafilova është në Kosovë”.

“Unë, Zgjimi, Noli, Agroni, Korabi e Genti sapo u liruam. Dhuna joproporcionale e policore u pa. Ajo nuk ka justifikim. Duke u munduar t’i dëshmohen kryetares së gjykatës, u vendosëm padrejtësisht në mbajtje dhe ngarkohemi për gjëra të paqena. Këtë e di Gjykata, por qëllimi ishte që ne të izoloheshim për sa kohë që znj. Trendafilova është në Kosovë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi”- ka thënë Molliqaj.

“Kjo gjykatë, me këtë kryetare, sa më tepër që po mundohet ta rregullojë imazhin, aq më tepër po del në pah sa politike dhe anti-UÇK është. E vërteta nuk lejon makiazhin. Maskë nuk ka më. Ajo u pa. Ju faleminderit shumë për mbështetjen e treguar”- ka shtuar ai.

Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate pasi protestuan me mjete tymuese të mërkurën, kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe një takimi të saj në një hotel në Prishtinë me shoqërinë civile.

Personat që u arrestuan ishin arrestuar janë: Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Korab Korça, Gent Ibrahimi dhe Agron Kabashi.

Dren Kukaj, anëtar i kryesisë së PSD-së në një konferencë për media të enjten tha se është e papranueshme që “opozitarët të jenë në burg”.

Sipas tij, të arrestuarit, nuk kishin përdorur as armë gjatë protestës.

Një ditë pas protestës, PSD: Përdorëm vetëm mjete piroteknike