Aksioni i PSD-së. Screenshot: Dardan Molliqaj/Facebook

Aksioni i PSD-së gjatë fjalimit të Kurtit, Molliqaj thotë se u arrestuan dy aktivistë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se dy aktivistë të kësaj partie janë arrestuar pas një aksioni që bënë sonte.

Molliqaj fillimisht bëri të ditur se PSD-ja ia ndërpreu fjalimin kryeministrit duke e lëshuar me zmadhues një deklaratë të dikurshme të Kurtit, kur thoshte: “‘Zajednica’ nuk kalon”.

“Sot, për ta ruajtur pushtetin e vet, Zajednicën po ia sjell Kosovës. Nuk do të ketë normalitet me Zajednicën në Kosovë, e me Albin Kurtin kryeministër” – tha ai.

Tutje kryetari i kësaj partie njofti se u arrestua aktivistja së PSD-së, Donjeta Demolli, duke e cilësuar këtë arrestim si të papranueshëm.

“Pushtetit i Albin Kurtit, që Kosovës po ia sjell Zajednicën, po i pengon një parullë që e tregon të vërtetën për të. Po i pengon zëri i tij kur dikur e mohonte këtë Zajednicë. Po i pengon vetja kur shihet në pasqyrë” – tha Molliqaj.

I njëjti shtoi se Kurti e di më mirë se kushdo se nuk mund të ketë qetësi e normalitet me “Zajednicën” që ai, sipas tij, po ia sjell Kosovës.

“E mbase kjo po i pengon më së shumti. Kërkojmë menjëherë lirimin e aktivistes së PSD-së Donjeta Demolli” – tha ai.

Ndërsa para pak minutave, Molliqaj tha se Policia e Kosovës ka arrestuar edhe aktivistin Gëzon Kastrati.

“Përderisa përfunduam aksionin sonte me sukses, përveç Donjetës, policia arrestoi edhe aktivistin Gëzon Kastrati pa asnjë paralajmërim përderisa ishte në një nga rrugët afër stacionit policor. Nuk kemi si ta shohim ndryshe përpos si tendencë për disiplinim të kundërshtarëve. Tash që Zajednica po përparon, kundërshtarët po tentojnë t’i heshtin” – tha kryetari i PSD-së.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës për këtë rast dhe është në pritje të përgjigjeve.