Deklarata e Dardan Molliqajt pak para arrestimit
Para se të arrestohej në protestën e Partisë Socialdemokrate kundër vizitës së kryetares së Gjykatës Speciale, Dardan Molliqaj mbajti një fjalim para mediave, përmes së cilës kërkoi kundërshtimin e e kësaj gjykate.
“Jemi mbledh me e kundërshtu ardhjen e kryetares së dhomave të Specializuara. Sa herë që kemi qenë më afër Serbisë, më afër marrëveshjeve të këqija me Serbinë, sa herë që kanë dashtë me na barazu Kosovën dhe Serbinë, janë përndjekur ushtarët e UÇK-së” – ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, tani ka zell të madh për përndjekjen e krerëve të UÇK-së, sepse ata duan të thonë që “Millosheviqi ka qenë diktator dhe ka bërë vrasje e krime në Kosovë, por vrasje e krime ka bërë edhe UÇK”.
“Millosheviqin e kemi largu, Serbinë e kemi bombardu, tash duhet edhe krerët e UÇK-së me u dënu që me u çel rruga për vegëza të reja me Serbinë. E di që dikujt mund t’i duket jologjike por është plotësisht politike. Bash tash kur Serbisë nuk po ia kërkojnë njohjen e Kosovës dhe po ia japin autonominë e serbëve në Kosovë, bash tash krerët e UÇK-së janë në Hagë” – u shpreh më tej Dardan Molliqaj.
Kryetari i PSD-së nuk kurseu as kritikat e akuzat ndaj Kryeministrit, Albin Kurti.
Ai tha se arrestimi i ushtarëve të UÇK-së që janë në Hagë nuk do të ishte i mundur pa Vetëvendosjen, pasi që sipas tij, themelimi i gjykatës dhe hetimet kundër tyre kanë ndodhur shumë më herët, por shtoi se “kur e panë që populli po e mbështet një subjekt politik i cili nuk e mbështet luftën e UÇK-së, e panë që është e mundshme”.
Molliqaj përmendi edhe premtimin e Kurtit sa ishte në opozitë, që xhipat do t’ua jepje prokurorëve e gjyqtarëve, por tha se asnjë kryeministër nuk ka pasur më shumë xhipa të zi e truproje, sepse sipas tij, kryeministri ka bërë veprime të cilat janë në dëm të interesit kombëtar.
Më tej, kreu i PSD-së, tha se policia sot është instrumentalizuar për të mbrojtur një kryetare të një gjykate që është e padrejtë dhe në thelb kundër Kosovës.
Dardan Molliqaj tha po ashtu se ata që janë në Hagë “përveç që janë marrë peng e janë privuar nga liria, janë privuar dhe nga të drejtat fundamentale të të burgosurit”.
Për takimin e paraparë të Trendafilovës me shoqërinë civile, Molliqaj tha se ajo ka ardhur tinëz më herët se sa që ishte planifikuar.
Tym e arrestime, protesta e PSD-së kundër vizitës së kryetares së Speciales – VIDEO
VIDEO – Momenti kur Dardan Molliqaj arrestohet nga Policia e Kosovës
Përkundër protestës, Trendafilova nis takimin me shoqërinë civile: Nuk jam këtu për çështje politike