Debat Pernime, Istog. Foto: Atdhe Mulla

Zotimet për Istogun

Që nga sigurimi i ujit të pijes e deri tek zhvillimi i turizmit malor, kandidatët për Kryetar të Komunës së Istogut dhanë zotimet e tyre për përmirësim të jetesës në këtë qytet.

Pesë kandidatët në Debat Pernime shpalosën programin qeverisës të cilën zotohen se do ta ndjekin në rast se u besohet mandati në zgjedhjet e 22 tetorit.

Agron Avdiaj, kandidat i Lëvizjes  Vetëvendosje tha se do të proritizojë bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik.

“Fuqizimi i bujqësisë, renovimin e tregut në qendër të qytetit, furnizimin me ujë të pijshëm për të gjithë fshatrat, shujtat ditore për nxënësit prej klasës së parë deri në të pestën, sigurimin e barnave nga lista esenciale, do të instalohet një sistem i llogaridhënie, ndërtim të sheshit në qendër të qytetit”, tha Avdiaj.

Arif Elshani nga  Iniciativa e  Pavarur për Istogun konsideron se është e rëndësishme fokusi në cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Istog.

“Pika më e rëndësishme do të jetë jetësimi I repartit të lindjes dhe çdo lindje do të subvencionohen nga 300 euro. Do t’i subvencionoj shpenzimet e varrimit për skemën sociale, do të ofrojë shujtë të nxehtë, do të kthejmë një traditë të mirë… Do t’i ndërtoj disa shkolla, përfundimi i memorialit ‘Ibrahim Rugova’ brenda gjashtë mujorit të parë”, tha Elshani.

Në anën tjetër, Beqir Sadikaj nga Partia Demokratike e Kosovës tha se do të merret me përmbushjen e nevojave elementare për jetën e qytetarëve të Istogut.

“Kemi mbledhur kërkesat e qytetarëve, për gjëra elementare jetësore, kanalizim, ujë, rrugë, trotuare. Me qeverisjen time qytetari i Istogut do të jetë në qendër , qeverisja do të mbështetet në respektimin e ligjit, në meritokraci”, tha Sadikaj.

Ndërkaq, Gani Dreshaj nga  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u zotua për investime në turizëm përveq çështjeve tjera.

“Hapja e lumenjve, impianti në Istog, brenda një muaji është impianti në Vrellë, du me largu futjen e duarve të politikës në arsim. Do ta shikoj listën e njerëzve që marrin ndihma sociale, nuk do ta harxhojmë buxhetin vend e pa vend. Njerëzit në Istog nuk jetojnë vetëm prej peshkut, do të investoj në turizëm malor”, tha Dreshaj.

Kryetari aktual, Haki Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës u zotua për vazhdimin e punëve të mbetura në gjysmë nga mandati paraprak.

“Ne do të avancojmë me punë shtesë dhe investime. Sektorët kyç janë zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia. Në sferën e kulturës mund ta pranoj që kemi pasur mundësi të punojmë pak ma shumë por kanë qenë periudha të rënda”, tha Rugova.