Tubimi i kandidateve të VV-së për asambliste - Foto: Facebook

VV: Sa më Shumë Gra në Asamble, aq më Shumë Mundësi për Barazi

Rëndësia e angazhimit dhe e mobilizimit të grave për ndryshimin e madh në komunat e Kosovës është theksuar në një tubim të Vetëvendosjes me gratë kandidate për kuvendet komunale.

Në fjalimin e saj, drejtuesja e Sekretariatit të Gruas Aktiviste, Nazlie Bala, tha se ndonëse rrugëtimi ndër vite ka qenë ballafaqim me pabarazinë, asnjëherë nuk është hequr dorë nga përpjekja për barazi.

Ajo ka folur edhe për takimet e shumta me gra, prej ku janë mësuar problemet e mëdha të cilat i përcjellin gjatë përditshmërisë së tyre.

Bala tha mëtej se angazhimi i grave dhe vajzave është i domoshëm për ta planifikuar zgjidhjen e problemeve të tyre.

“Angazhimin tonë të deritanishëm e dëshmon prania e grave kandidate për Kuvende Komunale në tërë Kosovën, prani e cila nuk i besoi formalitetit të përqindjeve dhe të qenit formal, por vullnetit për t’u angazhuar. Ku më mirë se në Vetëvendosje! është ngulitur parimi i barazisë? Ne jemi të vetëdijshme për kohën që e jetojmë, por ne nuk besojmë në formalizma, sepse si nuk jetojmë formalisht si gra dhe jemi gjysma e kombit”, ka thënë ndër të tjera Bala.

Ndërsa nënkryetarja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se shoqëria është më e hapur dhe me demokratike sa më e lartë është përfshirja e grave në jetën publike, në arsim, në biznes dhe në media.

Ajo ka shtuar se beteja ndaj paragjykimeve të shoqërive konservatore fillon pikërisht nga niveli lokal.

Ndërsa, deputeti Albin Kurti gjatë këtij tubimi tha se nuk ka nevojë për statistika për ta vënë re mungesën e gruas në politikë, duke potencuar se është tejet i rëndësishëm angazhimi i tyre për ta ndryshuar këtë gjendje.

Kurse, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se barazia vjen përmes emancipimit, por edhe emancipimi kushtëzohet nga barazia.