Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

Nisma akuzon anëtarët e LVV-së për ndërhyrje në procesin e rinumërimit

Nisma Socialdemokrate ka akuzuar anëtarët e LVV-së në KQZ se po i bëjnë presion vëzhguesve të Nismës duke ndërhyrë dhe duke kapur fletëvotimet.

“Vëzhguesit kanë vërejtur shumë parregullsi dhe janë ballafaquar me presione të ndryshime nga anëtarët e LVV-së në KQZ. Ata kanë ndërhyrë edhe duke kapur fletëvotimet, për më tepër edhe duke vendosur se cilat nga ato fletëvotime janë të vlefshme apo të pavlefshme”, thuhet në reagimin e shtabit zgjedhor të Nisma-s.

Në këtë reagim, ata kanë thënë që janë pikërisht dy anëtarët e LVV-së, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi ata që kanë kërcënuar dhe shantazhuar stafin, madje sipas tyre ata kanë ndërhyrë fizikisht në fletëvotime.

“Përfaqësuesit e LVV-së në KQZ, përkatësisht Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi vazhdimisht kanë ndërhyrë në tavolinat ku po bëhet rinumërimi i votave, duke kërcënuar dhe shantazhuar stafin dhe vëzhguesit e angazhuar në QNR. Të apostrofuarve më lartë nuk ju mjafton presioni mbi punëtorët e QNR-së dhe vëzhguesit e partive tjera, ata ndërhyjnë edhe fizikisht në fletëvotime”, thuhet tutje në reagim.

Sipas tyre të gjithë këto veprime të VV-së në QNR janë skandaloze dhe të patolerushme.

“Ndërhyrjet e vazhdueshme të znj. Nazlie Balaj dhe z. Adnan Rrustemi në tavolinat e rinumërimit për të dirigjuar se cila votë është e vlefshme apo e pavlefshme dhe presioni që po u bëhet vëzhgueseve dhe stafit të QNR-së është skandaloz dhe në kundërshtim me ligjin”, thuhet tuje,

Ne reagimin e shtabit zgjedhor thuhet se gjatë ditës së djeshme, Nazlie Bala dhe Adnan Rrustemi kanë ndërhyrë në mënyrë aktive duke kërcënuar, duke rinumëruar e duke vlerësuar vota.

KALLXO.com ka tentuar të marrë koment nga dy anëtarët e apostrofuar të LVV-së mirëpo deri më tani ata kanë qenë të paqasshëm.

Shtabi Zgjedhor i Nismas, ka kërkuar nga KQZ që të ndaloj urgjentisht ndërhyrjen e këtyre anëtarëve të KQZ-së në procesin e rinumërimit të votave. “Duke ditur përgjegjësitë e qarta ligjore të anëtarëve të KQZ-së që janë të parapara me ligj, ndërhyrja e çdo anëtari të KQZ-së në tavolinat e rinumërimit është presion, është intimidim, duke shfrytëzuar pozitën e tyre për të ndikuar ndaj punëtorëve të administratës, që janë përgjegjës për rinumërimin e votave, po ashtu është qëllim për të penguar vëzhguesit e partive politike për të kryer detyrën e tyre të paraparë me ligj”, theksohet në reagim.

Të hënën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë rinumërimin e rreth 1.500 vendvotimeve për shkak të mospërputhjen e të dhënave dhe rezultateve për shkak të gabimit teknik në të shtypur të Formularit të Përputhjes së Rezultateve (FPR).

Fillon rinumërimi i 1.428 vendvotimeve

.