Nazlie Bala: Deputetët e LVV-së e kanë ditur që kjo parti përkrah barazinë

Në kuadër të “Javës së Krenarisë” është zhvilluar diskutim mbi Kodin Civil, i cili ka sjellë vëmendjen tek martesa e personave të seksit të njëjtë.

Në këtë panel të udhëhequr nga gazetarja Jeta Xhara, kanë qenë të pranishëm, Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, Nazlije Bala nga Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Arbër Nuhiu, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD).

Nazlie Bala, nga Vetëvendosje dhe aktiviste për të drejtat e njeriut, ka thënë se deklarimet individuale të deputetëve të Vetëvendosjes rreth Kodit Civil, kanë tendencë që ta paraqesin këtë parti si konservatore e tradicionale.

Sipas saj, Manifesti i Lëvizjes Vetëvendosje, parim e ka barazinë dhe të drejtat e njeriut.

Ajo në “Kallxo Përnime”, ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka garuar me një program i cili sipas Balës është mjaft i qartë e në bazë të së cilit kjo parti ka fituar në ato zgjedhje.

“Nuk guxojmë me i përzi deklarimet individuale me programin me të cilin ka garuar LVV-ja. Asnjë parti politike, e as Vetëvendosje se ka pas si pikë të veçantë martesën mes gjinisë së njëjtë, të bëhemi fer. Për ne kanë qenë primare të drejtat e njeriut” – tha Bala.

Bala më tej ka thënë se që nga viti 2015 kur edhe si lëvizje Vetëvendosje kanë marr pjesë nëpër forume për të drejtat e komunitetit LGBTIQ, i kanë përkrahur të drejtat e tyre.

“Asnjë deputet nuk garon për të fituar individualisht, je në një koncept që e përqafon një program dhe e shtyn përpara një politikë programore të një partie. Edhe njëherë deklarimet individuale të deputetëve nuk janë qëndrime të Vetëvendosjes. Ne nuk guxojmë të jemi ndryshe me ndërkombëtarë e ndryshe në diskutime të tjera për interesa të caktuara personale. Nëse besojmë në barazi duhet të punojmë në barazi”, ka thënë Bala