'Java e Krenarisë’, diskutime për hartimin e draft kodit civil që lejon martesën mes seksit të njëjtë
Përmes hartimit të draft kodit civil, po synohet që të krijohen mekanizma ligjorë që e lejojnë martesën homoseksuale, njësoj sikurse martesën heteroseksuale, duke përmirësuar ligjet dhe terminologjinë që e ndalon këtë martesë në Kosovë.
Në një diskutim në kuadër të ‘Javës së Krenarisë’ të organizuar në Prishtinë, përfaqësues institucionalë dhe të shoqërisë civile shpalosën pikëpamjet e tyre për hartimin e këtij kodi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha që e drejta për martesë mes gjinisë së njëjtë përveç që duhet të jetë e vendosur në letër, duhet të kthehet edhe në praktikë që të arrijë të realizohet.
“Nëse një çift hetereoseksual vjen të martohet në komunë jam i sigurt që ofiçari do e refuzoj për shkak se ka ligje si ai i familjes, që e refuzon. Puna është krejt tek legjislacioni”, tha Ahmeti gjatë konferencës të organizuar për ‘Javën e Krenarisë.’
Sipas tij, duhet të vijnë çifte të tilla që t’i sfidojnë institucionet, pavarësisht kundërshtive.
“Ju duhet të na sfidoni si institucione. Si komunë jemi munduar dhe do mundohemi të iu ofrojmë mundësitë por ne duhet të sfidohemi”, tha Ahmeti.
Ndërkaq, ambasadorja e Suedisë në Kosovë Karin Hernmack Ahliny tha që shteti ka përgjegjësi t’i mbrojë të gjithë pa kurrfarë dallimi, përfshirë edhe ata të seksit të njëjtë.
“Dhuna dhe diskriminimi është realiteti që ka përfshirë komunitetin LGBT. Barazia përfshin edhe martesën e të gjithëve. Njerëzit duhet të jenë krenar për atë që donë dhe ta ruajnë identitetin e tyre” tha Ahliny.
Nazlie Bala, këshilltare e Ministrisë së Drejtësisë tha që kanë zhvilluar pesë takime për draft-Kodin Civil në mesin e tyre edhe martesat e gjinisë së njëjtë.
“Saktë dhe drejtë, diskutimi për gjininë e njëjtë gjithmonë do ta ketë përfshirjen e martesës së gjinisë së njëjtë apo krijimin e një ligji të ri”, tha Bala.
Ndërkohë, Majlinda Lulaj, zëvendëse e Avokatit të Popullit tha që ky projekt-kod po endet nëpër duart e autoriteteve.
“Privimi i çifteve homoseksuale për martesë diskriminon. Kushtetuta nuk paraqet shkelje të drejtës për martesë mes çifteve homoseksuale. Projekt-kodi paraqet shkelje të Kushtetutës”, tha ajo.
Megjithatë, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës tha që historia e martesave të seksit të njëjtë tregon qasjen ndaj këtij problemi në shoqërinë njerëzore.
“Njohja e të drejtave të LGBT-së duhet të bëhet përmes: Kushtetutës, përmes gjykatave dhe Kodeve dhe ligjeve”, tha Hasani.
Sipas tij, në kontekstin kosovar ekziston një ngecje në krahasim me shtetet tjera dhe që dispozitat ku definohet martesa kategorike, mund të përmirësohet për martesë të barabartë për të gjithë.
Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) tha që rregullimi i martesave të gjinisë së njëjtë nuk duhet të bëhet përmes një ligji të veçantë, por përmes Kodit Civil.
“Martesat të rregullohen me ligj të veçantë është non sense. Një e drejtë e vonuar është shkelje e të drejtave të një grupi të caktuar”, tha ai.
Nuhiu tha që kanë propozuar që të përdoret terminologji e njëjtë si në Kushtetutën e Kosovë dhe të hiqen termet e gjinive.
“Neutralizimi i emrave të gjinisë do të ishte zgjidhje shumë e mirë”, tha ai.
Arton Demhasaj nga organizata ‘Çohu’ thotë se nuk ka nevojë për një ligj të ri por kjo çështje duhet të hyjë në kuadër të Kodit Civil.
“Aktivistët duhet të jenë pjesë e grupeve punuese dhe përmes kësaj të ndërroj kahja e Ministrisë së Drejtësisë”, tha ai.
Ndërkaq, Arbër Nuhiu tha që kanë kërkuar të jenë pjesë e grupit punues por nuk kanë marrur kurrfarë përgjigje.
Ndërsa për perspektivën ndërkombëtare në të drejtën për martesën e seksit të njëjtë, deputetja e Paramentit Europian, Terry Reintke tha që kjo e drejtë nuk e veçantë dhe nuk duhet të konsiderohet e tillë, por duhet të konsiderohet si e drejtë elementare e njeriut.
“Ju duhet të keni diskutime me Qeverinë, organet e BE-së që të krijoni audiencë e të merrni përkrahje për këtë çështje”, tha Reintke përmes platformës Zoom.
Kurse, shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha që duhet të përkrahen organizatat shoqërisë civile të LGBTI-së në Kosovë.
“Me përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile mund të arrihet barazia dhe ndryshimet në Kodin Civil”, tha ai.
Drejtorja ekzekutive e organizatës për avokim për të drejtat e LGBTI- së, ‘ILGA Europe’, Evelyne Paradis tha se diskutimi publik mund të sjellë benefite të mëdha në të drejtat e këtij komuniteti.
Kurse, Goran Miletic, drejtor për Europë dhe MENA dhe zëvendës drejtor i programit global i ‘Civil Rights Defenders”, tha që çështja e martesës mes gjinisë së njëjtë nuk duhet të konsiderohet si tabu ose jo, sepse dallon nga një vend në një tjetër.
“Ligji duhet të ndjekë jetën. Ju duhet përmes ligjit t’i përmirësoni gjërat kur njerëzit duan ta ndjekin jetën, të duan atë që donë”, tha ai.