Debat Pernime, Dragash. Foto: Atdhe Mulla

Kandidati Boshnjak e Goran Përplasen për Integrimin në Dragash

Dy kandidatët për kryetarë të Komunës së Dragashit që përfaqësojnë komunitetet gorane dhe boshnjake, Admir Sholla dhe Sherif Aga, polemizuan mbi integrimin e njëri- tjetrit në fushën e arsimit në Kosovë.

Sherif Aga nga Koalicioni Vakat, në Debat Pernime për Dragashin tha se komuniteti i tij nuk kanë pengesa në arsimim dhe i bëri thirrje komunitetit goran që t’i respektojë ligjet e Republikës së Kosovës.

“Unë absolutisht po pres kur do të kuptoj komuniteti goran se në të vërtetë Kosova është shtet i pavarur dhe se rruga për integrime dhe përmirësim është vetëm në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Aga.

Ndaj kësaj deklarate reagoi kandidati Admir Sholla nga JGP i cili tha se kanë trashëguar sistemin paralel të arsimit duke mohuar dezintegrimin e komunitetit goran në nivel lokal.

“Sa për t’u sqaruar, këtë sistem e kemi trashëguar, nuk është kjo nga dje. Arsimi në gjuhën serbe është në Kosovë që nga viti 1999. Në nivel lokal, natyrisht se do të integrohemi, nuk na nevojitet neve Koalicioni Vakat që të na integrojë. Jemi shumë më shumë të integruar sesa ata. Ata janë aty që 18 vjet vetëm si dekor i koalicionit në pushtet Pra neve nuk na nevojitet dikush tjetër për të na integruar, e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Sholla.

Sholla megjithatë bëri të ditur që një nga synimet e tij nëse merr mandatin është krijimi i komunës Gora për komunitetin goran.