Fushata e Nismës në Suharekë - Foto: Nisma

Balaj: Do ta Përgjysmoj Buxhetin e Suharekës për Asfalt

Kandidati i Nismës për Kosovën për kryetar të Komunës së Suharekës, Kadri Balaj, tha se përveç se do ta përgjysmojë buxhetin për asfalt për t’i ndihmuar bujqit ai do të punësojë për çdo familje një anëtar.

“Ka ardhur koha që në shërbim të komunës tonë të vijnë njerëz me vizion të qartë, ne këtë vizion e kemi dhe do ta bëjmë bashkë”, tha Balaj në hapje të fushatës së Nismës në Suharekë.

“Do t’i kushtojmë rëndësi sidomos kategorive të dala nga lufta rritjen dhe subvencionimin dhe ndihmat sociale për qytetarët tanë dhe do të punësojmë nga një familjar për çdo familje në Therandë. Do t’i ndihmojmë bizneset për hapjen e vendeve të reja të punës”, theksoi ai.

Balaj tha se është për keqardhje që të rinjtë tanë mendjen e kanë se si të ikin nga këtu dhe kjo duhet të ndalet urgjentisht.

Ndërsa, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, tha se Suhareka ka një rast të jashtëzakonshëm që të ketë në krye një njeri me një përvojë të jashtëzakonshme profesionale. “Një kryetar të tillë do ta kishte zili çdo komunë tjetër”, u shpreh Limaj.