Agim Veliu, Foto: Atdhe Mulla

Agim Veliu: Asnjë Aferë Korruptive në katër Vitet e Kaluara

Kandidati i LDK-së për kryetar të komunës së Podujevës, Agim Veliu, po mburret që në katër vitet e mandatit të tij në këtë post nuk ka pasur asnjë aferë korruptive.

Në debat Pernime për Podujevën të moderuar nga Jeta Xharra, Veliu tha se qeverisja e tij ka treguar “rezultate të theksuara” për këtë komunë.

“Komuna e Podujevës, gjatë katër viteve të mandatit tim, është qeverisë në bazë të ligjit, nuk ka asnjë aferë korruptive, nuk ka asnjë dëmtim të pronës komunale dhe ka rezultate dhe arritje të theksuara në të gjitha fushat”, tha ai.

“Edhe në këto zgjedhje hyjmë me qëllim që t’i fitojmë sepse për këtë e kemi edhe përvojën e duhur edhe rezultatet gjatë mandatit të kaluar por edhe garojmë me një ekip që garanton qeverisje të mirë me standarde të kërkuara”, shtoi Veliu.

Sipas tij, në mandatin që po përfundon, në Podujevë janë asfaltuar 200 kilometra rrugë, janë bërë 40 kilometra rrjet ndriçimi, afër 40 kilometra trotuare dhe 173 kilometra rrjet kanalizimi.

“Për këto zgjedhje jemi të përgatitur me një program të përgatitur nga profesionistë të fushave të caktuara dhe i cili bazohet në nevoja dhe mundësitë buxhetore që i ka komuna. Besoj se do t’i arrijmë synimet dhe objektivat tona”, tha Veliu.

Kur u pyet për përfaqësimin gjinor në qeverisjen komunale, Veliu tha se do të provojë ta ngritë përfaqësimin e grave në ekzeklutiv.

Mandatin e kaluar, komuna e Podujevës ka pasur dy drejtoresha në ekzekutiv.

Debati i plotë: