
Agim Veliu. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Veliu e quan ‘klandestin’ Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së në Llap
Ish-kryetari i degës së Lidhjes Demokratike në Llap, Agim Veliu, e ka quajtur klandestin Kuvendin e jashtëzakonshëm të degës së LDK-së në Podujevë.
Veliu ka thënë se Kuvendi i sotëm është kundër statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i paligjshëm.
“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë” ka shkruar Veliu.
Gjithashtu, Veliu në shkrimin e tij ka thënë se ky është proces i shkatërrimit të LDK-së në Podujevë.
“Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së“, ka shtuar më tej Veliu.