Agim Veliu e quan të manipuluar procesin zgjedhor të LDK-së në Podujevë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i degës së kësaj partie në Podujevë, Agim Veliu, ka reaguar pas zgjedhjes së Ekrem Hysenit si kryetar dege.

Veliu e ka quajtur këtë proces zgjedhor “manipulim” teksa ka hedhur akuza për ndikim në zgjedhjen e Hysenit.

“Kryesia, anëtarët e saj, kishin dalë nga mbledhja e fundit pa  u informuar se kur dhe ku do të niste procesi zgjedhor”- ka shkruar Veliu në Facebook.

Sipas deputetit të LDK-së “pas mbledhjes ku u suspendua kryesia, nisi procesi i manipulimeve me kuvende nëndegësh”.

Më tej, Veliu thotë se nuk është publikuar orari i mbajtjes së kuvendeve dhe nuk janë informuar kryetarët e nëndegëve se kur duhej të mbaheshin ato.

“ Për aksionet e tyre të pista anëtarësia dhe ndonjë kryetar nëndege merrnin vesh të nesërmen, ose pas dy tri ditësh, kur dikush nëpër kafehane do t’i pyeste “prej kur filani i LVV-së, PDK-së a AAK-së qenka bërë LDK e me shkue delegat në degë?”- ka thënë mes tjerash ai.

Ditë më parë, delegatët e Kuvendit zgjedhor të Degës së LDK-së në Podujevë kanë zgjedhur Ekrem Hysenin kryetar të kësaj dege.

Postimin e plotë të Veliut mund ta lexoni më poshtë.