Nuk mbahet mbledhja e Komisionit për Media në të cilin do raportonte KPM

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nuk do të mbahet për shkak se nuk ka kuorum.

Prezent në këtë mbledhje ka qenë edhe ushtruesja e detyrës së kryeinspektorës, Lebibe Haliti.

Në fillim të mbledhjes, kryetari i Komisionit, Valon Ramadani ka propozuar që të vazhdojnë diskutimet e mbetura nga mbledhja e kaluar.

Pas kësaj, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka thënë se ata e kanë bërë publike që nuk do të marrin pjesë.

“Meqenëse nuk kaloi rendi ne e kemi bërë publike që nuk marrim pjesë, kjo mbledhje nuk ka arsye me vazhdu. Nuk e kuptoj pse ju si mazhorancë nuk po i bëni numrat. Sigurisht që kemi dashtë me marrë pjesë në këtë mbledhje dhe kemi mendu që i keni siguru deputetët” – tha deputeti Lushtaku.

Atij i replikoi kryetari i Komisionit, i cili tha se është e papërgjegjshme sipas tij mospjesëmarrja e deputetëve të PDK-së, ndonëse tha se prapë është e drejtë e tyre.

“Është e papërgjegjshme kur ju si deputetë keni kërku që të vazhdohet mbledhja të diskutohet me ARBK dhe sot nuk votoni për diskutim por për diçka çka e keni kërku të diskutohet sepse bashkërisht kemi kërku” – tha Ramadani.

Më pas, në diskutim u përfshi edhe Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nuk e di sa është në rregull sipas procedurave sepse kjo është thirrur si mbledhje e rregullt nuk e di se si ka mundësi të shëndrohet si vazhdim. U hodh në votim rendi i ditës nuk o votua nuk e di se si mund te vazhdohet” – tha deputeti.

Në anën tjetër, Fitim Haziri nga LVV tha se janë dakord që deputetët të mos marrin pjesë në votimin e projektligjit, por tha se është e papranueshme të mos marrin pjesë në komisione.

“Jemi dakord që këta të mos marrin pjesë në votimin e projektligjit por e papranueshme të mos marrin pjesë në komisione. Një pyetje kam nuk e di pse po merrni pjesë kur nuk votoni as në komisione e as në seanca” – u shpreh ai.

Tutje, kryetari Ramadani tha se qëndrimet politike janë e drejtë e secilit dhe se nuk është e drejtë sipas tij që këta deputetë të nënshkruajnë e të marrin mëditje e të mos jenë pjesë e mbledhjes.

“Do ta caktojmë një ditë për këtë mbledhje, kemi mundësi deri të premten” – tha ai.

Tutje Veliu nga LDK replikoi për çështjen e mëditjeve.

“Nëse mendoni që është e padrejtë ofrona argumente si kryetar i komisionit, mundesh me kërku opinion ligjor nga zyra ligjore. Nëse mendoni që është diçka në kundërshtim me rregullore kërkoni interpretim dhe ne si deputet i nënshtrohem patjetër” – tha ai.

“Unë kam qenë edhe vetë pjesë e opozitës por se kemi blloku komisionin. Mundeni me ndalë sot por nesër-masnesër kjo mbledhje ka me vazhdu” – ishte më pas përgjigja e Ramadanit.