Arban Abrashi në takim me qytetarë - Foto: LDK

Abrashi Premton Zgjidhjen e Problemeve të Urbanizmit për Një Vit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka thënë sot gjatë një vizite në lagjen “Velania” se pas fitores në zgjedhjet e 22 tetorit, brenda një viti do t’i zgjidhë problemet e urbanizmit në kryeqytet.

“Kërkesat e qytetarëve nuk janë të mëdha, pasi kanë të bëjnë me mirëmbajtje të rrugëve, parqeve, me qentë endacakë, me sistemet e kanalizimit. Ne kemi plane konkrete për këto probleme, ndërsa mendojmë ta zgjerojmë edhe ngrohjen qendrore për këtë pjesë, pastaj të shikojmë zgjidhjen e çështjet e ashensorëve“, ka thënë Abrashi.

Sipas një komunikate të LDK-së, kandidati për kryetar të kryeqytetit ka thënë se infrastruktura në “Velani” ka degraduar.

Ndriçimi publik po ashtu ka qenë brengë e qytetarëve, për të cilën Abrashi ka premtuar zgjidhje. Ai ka shtuar se do të ndërtohen edhe parkingje nëntokësore, pasi një gjë e tillë e lehtëson edhe relievin e kësaj pjese të kryeqytetit.