Vjosa Osmani: Edhe tri ditë PDK-ja dhe Klani pronto shkojnë në opozitë

Para  simpatizantëve të komunës së Podujevës, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, është shprehur e sigurtë në fitoren e LDK-së.

“Ju e dini shumë mirë që kur e kam dhënë besën, kurrë nuk e kam shkelë atë besë. Kurrë koalicion me PDK-në. Kurrë koalicion me regjisorët e Klanit pronto, të cilët me krim e korrupsion, me montazha dhe falsifikime po synojnë ta manipulojnë vullnetit e qytetarëve”, tha Vjosa Osmani.

Nënkryetarja e LDK-së gjithashtu i ka akuzuar PDK-në për montazhë e falsifikime duke iu referuar videos që është shpërndarë sot në media ku shihet një bisedë online e Vjosa Osmanit në të cilën ajo ofendon bashkëpartiakët e saj.

Ajo shtoi se janë të kota përpjekjet që me montazha dhe falsifikime të krijojnë përçarje në LDK, sepse “ne jemi më unikë se kurrë”.

“Kësaj here na nevojitet përkrahje e fuqishme që ta bëjmë ndryshimin e madh. Ju lus që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë masive, sikur në kohën e Presidentit Rugova, për ta jetësuar vizionin e tij për Kosovën shtet demokratik të zhvilluar dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian“, tha Vjosa Osmani.