Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Hoti: Dërgimi i draft-statutit të Asociacionit do të duhej të bëhej vitin e kaluar kur kërkonte ShBA-ja
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar përgatitja dhe dërgimi i draft-statutit të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese do të duhej të bëhej kur kërkonte SHBA-ja.
Sipas Hotit, Qeveria nuk e mori parasysh atë kërkesë të SHBA-së, dhe si rezultat, shton ai, Qeverisë iu dorëzua drafti nga Bashkimi Evropian, “në stilin merre ose lëre”.
“Përgatitja dhe dërgimi i draft-statutit të asociacionit në Gjykatë Kushtetuese do të duhej të bëhej kur kërkonte SHBA-ja, e cila vitin e kaluar i kërkonte Qeverisë së Kosovës të përgatiste vetë draftin. SHBA-ja u zotua atëherë t’i ndihmojë Qeverisë së Kosovës në përgatitje të draftit. Qeveria nuk e mori parasysh atë kërkesë të SHBA-së. Si rezultat, Qeverisë iu dorëzua drafti nga BE-ja, në stilin merre ose lëre”- ka shkruar Hoti në “Facebook” më 16.05.2024.
“Kur zhytesh në batak, siç është zhytur Qeveria e Kosovës në procesin e dialogut, kërkon ndihmë për të dalë nga aty dhe një ndihmë e tillë nuk ka munguar nga aleatët dhe opozita. Nëse lëviz duke qenë i zhytur në batak, atëherë fundosesh më thellë. Mandej vështirë del edhe me ndihmën e miqve dhe nuk del pa pasoja” – ka përfunduar ish-kryeministri i Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.
Sipas ministres së Jashtme, kjo letër është si vazhdimësi e zotimeve të tre krerëve të shtetit, presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca dhe kryeministrit Kurti.
“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës” – thuhet në postimin e Gërvallës në Facebook.
Në fund, ajo ka kërkuar nga Këshilli i Evropës që të pranoj Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës.
Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë thotë se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që do të mbahet më 17.05.2024.
Në përgjigjen e Ambasada e Gjermanisë në Kosovë shkruan, se vendet e QUINT-it dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.
Si rrjedhojë, sipas Ambasadës dorëzimi i draft-stautit para mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte një hap i tillë.
Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.
Sipas Kurtit, draft-statuti nuk është dokument zyrtar, sepse është refuzuar nga Serbia më 26.10.2023 dhe si të tillë nuk mund ta dërgojë në Kushtetuese.