Presidentja takohet me ambasadorët e SHBA, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takime të ndara ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves.

Sipas një njoftimi për media, në këto takime është diskutuar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe koordinimi për zhbllokimin e procesit anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Lidhur me këtë proces, Presidentja sot gjatë ditës ka biseduar edhe me ambasadorë të shteteve tjera aleate.

Presidenca e Kosovës ka reaguar në lidhje me letrën që Qeveria ia ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta njoftuar rreth hapave për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina ka deklaruar se për këtë veprim nuk ka pas “konsultim dhe dakordim” me shefen e shtetit.

Sipas tij, presidentja Osmani përkrahë vetëm “qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara” me institucionin e Presidencës, e që në rastin konkret kjo letër nuk është e tillë.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”- ka deklaruar Kupina, më 16.05.2024.

Presidentja Osmani, siç ka thënë ai, gjatë gjithë ditës ka vazhduar konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, “ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”.

“Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë” – ka deklaruar Kupina.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schëarz ka njoftuar sot më 16.05.2024 se i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Sipas saj, ky draft do të shërbej për t’i integruar komunitetet joshumicë në të gjitha komunat e vendit.

“Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin” – deklaroi ministrja e Jashtme.

Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur qëndrimin se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës, që do të mbahet më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.