Ismaili: Jemi të vendosur ta ndërtojmë komunikim mes sistemit shëndetsor dhe pacientit

Ministri në detyrë i shëndetësisë Uran Ismaili, tani kandidat i PDK-së për deputet në #DebatPernime e ka lavdëruar qeverisjen e tij.

Ai tha se gjatë mandatit të tij kanë intervenuar në infrastrukturë në pajisje e në disiplinë të mjekëve.

“Pacientët kanë qenë një pozicion të vështirë por edhe punëtorët kanë qenë në situatë të vështirë. Nuk kanë pasë pajisje, nuk ka pasë kujdesje ndaj sistemit shëndetësor, nuk ka pasë infrastrukturë, nuk ka pasë recepcione, disiplina e mjekëve ka qenë tepër e ulët dhe kjo na ka shty që të intervenojmë në të gjitha këto drejtime”, ka thënë Uran Ismaili në #DebatPernime.

Ai ka deklaruar se do të punojnë që mjekët të jenë në punë gjatë kohës sa janë në orar, dhe të ketë recepcione ku sipas tij, sistemi shëndetësor komunikon në mënyrë të qartë me pacientin.

“Do të jemi të vendosur që mjekët të jenë aty, duhet të krijohen kushtet për t’i shërbyer pacientit, duhet mbështetur mjekët në potencialin e tyre që të kenë mundësinë t’i trajtojnë, të ketë një sistem menaxherial rreth pacientin, që e kemi fillu me 9 recepcione. Ne po e ndërrojmë mënyrën se si sistemi shëndetësor komunikon me pacientin”, është shprehur tutje Ismaili në #DebatPernime.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.