Fetahu: Kundërkandidatët e mi fajtorë për gjendjen në arsim, në shkolla do të ketë sapunë

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së, Naim Fetahu, premton që do të rregullojë çështjen në arsim në këtë komunë.

Në #DebatPernime, Fetahu tha se kundërkandidatët e tij që kanë udhëhequr më parë këtë komunë janë fajtorë për gjendjen në arsim.

“Sa i përket gjendjes në arsim ajo është e rëndë dhe përgjegjës për këtë janë kundërkandidatët e mi. Me qeverisjen time do të hapen 3 çerdhe, këto do të kryhen brenda mandatit. Ne do t’i arrijmë t’i realizojmë”, thotë ai.

Ndërsa, sa i përket higjienës në shkolla ai thotë se këto janë gjëra të vogla por që as këto nuk janë siguruar nga qeverisja paraprake.

Fetahu premton se do të ketë sapunë në çdo shkollë.

“As cikërrimat nuk janë kryer në komunën tonë. Premtoj që do të ketë sapunë në çdo shkollë. Është keq që drejtorët të presin për një shkumës”, premtoi ai.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen më 15 mars.

Përveç Naim Fetahut në garë janë Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua ministër në Qeverinë Kurti.