Ish-ministrja e LDK-së: Ne e kemi shpëtuar Trepçën nga falimentimi

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e ftuar në Debat Pernime ka thënë se LDK ka shpëtuar Trepçën nga falimentimi.

“Kur e kemi bërë ligjin për Trepçën ne e kemi bërë për të mos falimentuar të cilin ka pasë me e bë AKP-ja, e dini të gjithë dhe Valdrin po më vjen mirë që po e pranoni se autorë të projektit të Brezovicës keni qenë ju dhe projekti ka qenë i juaji. Ma thuaj vetëm një fakt ku ka dështuar qeveria Mustafa. Ka dështuar investitori që nuk ka arritur me e mobilizu dhe ju me projektin e juaj keni tërhequr investitor jo kredibil”, ka thënë Bajrami.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi,- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.