Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, Foto: KALLXO.com

Hykmete Bajrami i reagon ministrit Murati për shifrat për rritjen e investimeve kapitale

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, i ka quajtur shifra të pasakta ato që ministri aktual, Hekuran Murati prezantoi lidhur me investimet kapitale.

Deputetja e LDK-së, e quajti Muratin “minister propaganda”, pasi sipas saj, ai po krenohet me investime kapitale të komunave, por shton se vetëm ju ka bërë pengesa komunave me bllokim të mjeteve vetanake.

“Prapë me shifra të pasakta. Edhe një herë sipas ministrisë që ti drejton – ministrisë së financave, investimet kapitale të nivelit qendror në vitin 2023 janë të njëjta me vitin 2017 – 349 milionë euro, vetëm se në vitin 2017 buxheti i Kosovës ka qënë 1.8 miliardë euro e në vitin 2023 buxheti ishte 2.923 miliardë euro dhe inflacioni në 3 vite të qeverisë tuaj është 23%”

“Po krenohesh me ivestimet kapitale të komunave, të cilat në vitin 2023 janë 205 milionë euro dhe nga 2017 janë dyfishu, por ju për komuna asnjë meritë nuk e keni, se veç pengesa ju ke bë si me bllokim të mjeteve vetanake si me tatim në pronë. Mjaftë me propagandë se s’po të shitet. Në qeveri të matët puna, jo fjalët” – ka shkruar deputetja Hykmete Bajrami më 31.03.2024.

Më 31.03.2024, Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se investimet kapitale në vitin 2023 kanë shënuar rritje prej 33 përqind, që sipas tij është niveli më i lartë ndonjëherë.

Murati në një postim në Facebook, ka shkruar se raporti vjetor tregon se viti 2023 është përmbyllur me rreth 561 milionë euro investime kapitale buxhetore të realizuara.

Sipas tij, lajm akoma më i mirë është se tendi i vitit 2024 deri më tani tregon për performancë edhe më të mirë sesa viti 2023 dhe pritet që sivjet të ketë “boom” të investimeve kapitale.