Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, Foto: KALLXO.com

Deputetja Hykmete Bajrami reagon pas njoftimit të BQK-së për mbylljen e “Komercijalna Banka AD Beograd”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se mbyllja e ‘Bankës Komerciale’ në Kosovë lidhet me ndryshimin e pronësisë së saj në Serbi.

“Mbyllja e ‘Bankës Komerciale’ bankë kjo e Serbisë që në Kosovë ka operuar që nga pasufta si bankë e licensuar nga BQK-ja, është mbyllë sot sepse ka me shumë se tri vite që ‘Bankën Komerciale’ në Serbi dhe filialat e saj i ka ble ‘NLB Slovenia’, e cila siç e dini ka e një licensë në Kosovë dhe me ligjin aktual një operatori nuk i lejohet t’i ketë dy licensa”- ka thënë Bajrami.

Sipas Bajramit, mbyllja e “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë, nuk ka të bëjë asgjë me veprimet e Qeverisë dhe të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Andaj mbyllja e ‘Bankës Komerciale’ nuk ka të bëjë asgjë as me veprimet e Qeverisë dhe as të BQK-së, ka qenë veprim i natyrshëm që ka filluar tashmë që nga shitja e kësaj banke, përmes likuidimit vullnetar. Unë veç uroj që politizimi i kësaj çështje, në këtë moment mos të hapë mundësinë për kërkesë për një licensë të re, të një banke tjetër të Serbisë në Kosovë”- ka thënë ajo.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë, ka përfunduar vullnetarisht veprimtarinë bankare të shërbimit me klientë.

Sipas njoftimit të BQK-së, ky veprim rezulton nga dialogu mbikëqyrës në periudhën gusht-shtator 2023, nga i cili rezultoi Plani për Likuidim Vullnetar.

Ky Plan pas rishikimit mori pëlqimin e BQK-së më 6 tetor 2023 për t’u përmbyllur më pas me vendimin e datës 9 janar 2024, për mbylljen e degëve dhe të gjitha nëndegëve në Republikën e Kosovës, efektive nga 31 janar 2024.

BQK: Përfundon vullnetarisht veprimtaria bankare në Kosovë e “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë