Rezoluta për kontratat njëburimore nuk hidhet në votim në mungesë kuorumi

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim në Kuvendin e Kosovës rezoluta për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala konstatoi që kjo pikë do të shqyrtohet në një seancë tjetër të Kuvendit kurdo që vendos Kryesia.

Shumica e deputetëve nga Lëvizja Vetëvendosje janë larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës kur po diskutohej për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti 2.

Në sallë kanë qëndruar vetëm dy deputetë të kësaj partie, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.

Kjo rezolutë është propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa është mbështetur edhe nga dy partitë opozitare PDK dhe AAK, në seancën e mbajtur më 15.03.2024.

Tekstin e rezolutës e ka lexuar deputetja Hykmete Bajrami.

Rezoluta është si në vijim:

– Të gjithë ministrat t’i raportojnë me shkrim Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike, për numrin e kontratave me negocim të drejtpërdrejt, kohën, projektet, arsyeshmerinë. Pse ata kanë zgjedhur të punojnë me një operator ekonomik pa publikim të njoftimit me kontratë.

 -Zyra Kombëtare e Auditimit të auditoj të gjithë kontratat njëburimore dhe t’i paraqesë raport Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike në afat prej tre muajve nga dita e miratimit të kësaj rezolute.

-Qeveria të sjell sa më parë në Kuvend draft ligjin e ri për Prokurimin Publik.

-Formimi i një komisioni hetimor për hetimin e të gjitha kontratave njëburimore në nivel qendror.