Bajrami: Pas rezultateve të PISA është dashur reflektim nga qeveria në rialokim të mjeteve për vitin 2024

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami teksa ka përmendur rezultatet e testit PISA, ka deklaruar se arsimi në Kosovë duhet të jetë prioritet kombëtar.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin për vitin 2024, Bajrami ka thënë se i njëjti është dashur të hiqet nga komisioni dhe të bëhet rialokim i mjeteve.

“Në mes të datës 31 tetor kur qeveria e ka përcjell ligjin në Kuvend dhe ditën kur jemi tani në lexim të dytë, janë disa gjera të cilat kanë ndodh që qeveria është dashtë të tërheq ligjin. Më datën 5 dhjetor Kosova pranoi rezultatet e testit PISA. Është koha kur arsimit duhet të bëhet prioritet kombëtar”- ka thënë ajo.

Bajrami ka thënë se “duhet të mendohet rialokim i buxhetit dhe task – forcë për arsim”.

Ajo tutje ka përmendur se rritja prej 5 euro në koeficientin për paga është e ulët.

Ndërsa ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po i përfshin amandamentet e opozitës në Projektligjin për buxhetin tash e disa vite.

“Ne po e shohim që ligjit të buxhetit i ka humb kupëtimi. Është viti i 4-të qe asnjë amandament nga opozita nuk kalohet”- ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton sot në lexim të dytë, Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Sipas njoftimit, kjo është e vetmja pikë e rendit të ditës për seancën e sotme.

Më 16 nëntor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.