Bajrami: Në Qeverinë Kurti 2 u nënshkruan mbi 1,800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka deklaruar se gjatë këtij mandati qeverisës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore në vlerë prej mbi 240 milionë euro.

Duke propozuar rezolutë enkas për kontratat njëburimore, ajo ka shpeguar se si buxheti i shtetit dëmtohet nga kontratat e tilla.

“Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse projekti mund të kushtoj më shumë, kualiteti ka mundësi të mos jetë më i miri. Për më tepër, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në deformimin e konkurrencës së drejtë, e  mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit”- ka thënë Bajrami.

Më tej, Bajrami ka cituar se çka thuhet në raportin e Komisionit Europian për tregun e prokurimeve publike në Kosovë.

“Raporti për vendin i Komisionit Europian, i publikuar na jep statistika alarmante dhe thotë që tregu i prokurimeve publike në Kosovë në vitin 2022 ishte 6.5 për qind e GDP-së. Sipas këtij raporti në vitin 2022 janë nënshkruar gjithsej 10 mijë e 290 kontrata në vlerë 559  milionëve, një pjesë e konsiderueshme 20.8 % thuhet që janë dhënë përmes procedurave të negociuara pa publikim të kontratës, rreth 78 milionë euro”- ka shpjeguar deputetja e LDK-së.

Bajrami tha se në emër të grupit parlamentar të LDK-së, ka paraqitur rezolutën me mbështetjen edhe të deputetëve nga grupet e tjera opozitare, dhe pret që pas debatit dhe fjalimeve të deputetëve mund të plotësohet edhe me pika të tjera.

Kuvendi i Kosovës është mbledhur në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: “Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.