Foto: KALLXO.com

Fatmir Limaj: Do ta nxjerrim ligjin për lehoninë dhe  shtesat për fëmijët

Koalicioni Nisma-AKR-PD ka mbajtur tubimin qendror me rastin e fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se bashkimi i këtij koalicioni do të sjellë fitoren e 6 tetorit.

“Kosova gjendet në udhëkryq të rëndë, duhen njerëz të marrin vendime të duhura.  Le të shkojmë shtëpi në shtëpi, lagje më lagje, fshat më fshat dhe ta çojmë përpara vizionin e z. Limaj. Të gjithë ata që e quajnë veten fitues, këto ditë do të përballen me uraganin Nisma-AKR-PD”, tha Sherifi.

Ndërsa, kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani tha se pa kuadro të ndershme, të besueshme dhe profesionale nuk mund të ketë zgjidhje për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar vendi këto ditë.

Koalicioni ynë është zgjedhja më e sigurt. Koalicioni ynë nuk ofron fjalë të thata”, tha Agani.

Ndërsa, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, nga Nju Jorku përmes një video-lidhje ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD  do të sjellë zhvillim ekonomik dhe vende pune.

“Do ta bëjmë Kosovën anëtare në NATO, OKB dhe organizata të tjera”, tha Pacolli.

“Do të sjellim vendin në stabilitet qeverisës. Ne synojmë të krijojmë vende të reja të punës për të rinjtë e Kosovës”, tha Pacolli, duke shtuar se synojnë që vendi çdo vit të ketë rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Kurse, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se 6 tetori është dita kur sovrani duhet t’i thotë jo mashtrimit.

“Ju garantoj se miku im i çmuar, Fatmir Limaj, është kandidati më i përgatitur për sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kosova”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, njëherësh kandidat për kryeministër, Fatmir Limaj, ka thënë se koalicioni Nisma-AKR-PD do të jetë befasia spektakolare e këtyre zgjedhjeve.

“Në sallone të ngrohta e studio televizive na kanë dalë do pishpirika që po thonë se e duan Kosovën.

Dallimi jonë me këta është se ne e kemi sakrifikuar familjen, kur e ka lypë Kosova. Sa janë seriozë ata kur e dinë që unë jam kandidat për kryeministër dhe ata thonë se e duan Kosovën. Këta po thuan kemi me bo llugë Kosovën”, tha Limaj.

“Ky koalicion do të nxjerrë ligjin për lehoninë. Do të jetë zëri i nënave dhe vajzave e motrave të Kosovës.

Ky koalicion do t’i futë shtesat për fëmijët tanë. Ky koalicion do të jetë zëdhënës i punëtorëve që përmes sigurimeve sociale ta përmbyllni jetën me dinjitet”, shtoi ai.

“Të nderuar pensionistë, reforma pensionale do të jetë në krye. Me një rrogë të merituar”, theksoi Fatmir Limaj.